Egjiptiani e goditi me thikë, Andrea Kalemi i shpëton sërish vdekjes në burgun grek

Egjiptiani e goditi me thikë, Andrea Kalemi i shpëton sërish

Andrea Kalemi nga Memaliaj, ka arritur t’i shpëtojë një tjetër sulmi në burgun e sigurisë së lartë “Koridhalos” në Athinë, ndërsa një i burgosur egjiptian e ka goditur me thikë.

51 vjeçari i cili njihet edhe si Adriatik Kalemi thuhet se u plagos rreth datave 14 ose 15 dhjetor, ndërsa dyshimet e para, sipas News24, janë hedhur mbi pistën e një tentative për vrasje me pagesë.

Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë. Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28 vjeçarin, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup.

Këtij të fundit, gardianët i kanë sekuestruar një thikë dhe një celular të thyer. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë. Mësohet se ngjarja është shënuar vetëm pak ditë para se Kalemi të lirohej nga burgu dhe nuk dihet nëse autori ka pritur pikërisht këtë çast. Megjithatë burime jo zyrtare konfirmojnë se pas daljes nga spitali, Kalemi është shoqëruar për në kufirin greko-shqiptar nga policia pasi e ka përfunduar dënimin dhe për këtë arsye është riatdhesuar.

Kujtojmë se ky nuk është atentati i parë, që Kalemi arrin t’i mbijetojë. Ai u bë shënjestër e një sulmi edhe më 9 gusht të këtij viti, në ishullin Paxos të Greqisë, teksa pushonte me familjen. Autori, ende i paidentifikuar, i cili dyshohet se mbërriti në ishull me jet-ski, hapi zjarr ndaj Kalemit duke e lënë të plagosur rëndë. Në vendngjarje policia greke gjeti 14 gëzhoja. Ai u transportua me skaf në limanin Arila në Perdika dhe më pas me autoambulancë drejt Janinës ku mori ndihmën e parë. Policia greke e arrestoi Kalemin pasi zbuloi se ai kërkohej nga policia për një çështje të vjetër dhe e transferoi atë në burgun e Koridhalos pas kaloi rrezikun për jetën dhe u rehabilitua plotësisht.

Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi, është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt nga Memaliaj, i ekzekutuar në një atentat me eksploziv në Sauk të Tiranës në qershor 2022. Në 16 dhjetor 2022 në Tiranë u ekzekutua biznesmeni nga Fieri me banim në Sarandë, Edmond Papa. Për vrasjen e tij është arrestuar shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, 30 vjeç ndërsa në kërkim është shoku tjetër i tij, Andreë Bode, 44 vjeç, i cili është edhe personi që ekzekutoi Papën. Në dosjen e ngjarjes përmendet edhe emri i Andrea Kalemit. Saga e hakmarrjes ka nisur pas dyshimeve të familjes së Aleksandër Sadikajt se pas vrasjes së këtij të fundit, qëndron Edmond Papa. Edhe atentati në Paxous ndaj Andrea Kalemit, dyshohet të ketë lidhje me këtë zinxhir ngjarjesh, ndërkohë qe mbeten ende të paqarta shkaqet e plagosjes së fundit të tij.

Kalemi dhe Sadikaj mësohet se kanë pasur miqësi me Edmond Papën e familjarë të tij, nisur që nga fakti që Hotelin “Blue Sky” në Sarandë, Edmond Papa e kishte blerë nga Andrea Kalemi, i cili e zotëronte nën emrin “Zatik”. Miqësia vazhdoi më pas edhe me të riun Sadikaj, i cili më pas u ekzekutua për shkaqe që dyshohet të lidhen me larjen e hesapeve mes ish-miqve.

51 vjecari Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi, në vitin 2001 rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001. Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 shtetas të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.

Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi rezulton edhe biznesmen në Memaliaj, bashkëpronar i kompanisë “Shza Kalemi” sh.p.k me adresë në Memaliaj dhe objekt “Në fushën e tregëtisë, import, eksport, tregti me shumicë dhe pakicë e mallrave industriale, ushqimore, bujqësore e blegtorale, veshmbathje, konfeksione, prodhim, përpunim e tregëtim i materialeve të ndërtimit, inerte, rërë, zhavorr, tregtim i automjeteve, makinerive, hidrosanitare, bimëve medicinale, të lëndës drusore, plastike, duraluminit etj. Bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele etj. Agjensi shitblerje dhe dhënie me qera të pasurive të patundshme, agjenci transporti të udhëtareve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe aktivitete të ndërtimit. Pastrim të sipërfaqeve urbane, gjelbërim mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta, mirëmbajtjen e varrezave publike dhe dekorim të qytetit”. Kalemi rezulton pronar edhe i Bujtina “Vjosa” në Memaliaj dhe i lokal “Las Palmas” në Tiranë. Firma e Andrea Kalemit rezulton përfituese tenderash nga Bashkia Memaliaj.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×