Dyshohet se Kristo Agalliu i premtoi Agron Duros lekë për vota, GJKKO merr vendimin, ja sa u dënuan

Dyshohet se Kristo Agalliu i premtoi Agron Duros lekë për vota, GJKKO

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me burg shtetasit Kristo Agalliu dhe Agron Duro të akuzuar për korrupsion në zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Ndaj Kristo Agalliut është dhënë dënimi me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3, duke u dënuar përfundimisht 8 muaj burgim.

Ndërsa Agron Duraj, u dënua për veprën penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, me 1 vit burgim, por përfitoi uljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 8 muaj burg.

GJKKO vendosi konvertimin e dënimit me vënien në provë të pandehurit për një periudhë kohe prej 16 muajsh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale.

Gjatë kësaj kohe i pandehuri të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi.

Nga hetimet ka rezultuar se  në datën 09 Maj 2023, Kristo Agalliu i ka ofruar shuma monetare Agron Duraj për të ndikuar në vullnetin e këtij të fundit, në mënyrë që të votojë një kandidat të caktuar në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar datën 14 Maj 2023.

Njoftimi i GJKKO:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 28.09.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Kristo Agalliu akuzuar për figurën e veprës penale“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal dhe të pandehurit Agron Durraj akuzuar për figurën e veprës penale“Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloi, Erjon Bani dhe Atalanta Zeqiraj, me vendimin Nr. 84, datë 18.12.2023 vendosi:

1.Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristo Agalliu, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

2.Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Kristo Tahir Agalliu, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht 8 (tetë) muaj burgim.

3.Vuajtja e dënimit të kryhet nga i pandehuri Kristo Agalli në një burg të sigurisë së zakonshme.

4.Deklarimin fajtor të të pandehurit Agron Duraj, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

5. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Agron Duraj, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht 8 (tetë) muaj burgim.

6. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë të pandehurit Agron Duraj për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muajsh, me kusht që i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjatë kësaj kohe i pandehuri të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi.

7.Shpenzimet proceduriale të bëra gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

8.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×