Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin për pezullimin e procesit të kompensimit të pronave të paktën edhe një muaj tjetër. Vendimi përfundimtar mbi kërkesë padinë e depozituar nga Komuniteti Mysliman Shqiptarë do të ndërmerret në muajin janar të vitit të ardhshëm.
“Gjykata Kushtetuese vendos pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të neneve 1, pika 2 dhe 2, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” thuhet në njoftim.
Kjo u konfirmua edhe nga përfaqësuesi ligjor i KMSH-së Arjan Muça. I pyetur nga Scan, avokati sqaroi se Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e palëve të interesuara për revokimin e masës së pezullimit. “Masa e pezullimit të ligjit është në fuqi, por jo pezullim i plotë i ligjit por vetëm të dispozitave të kundërshtuara”, tha Muça.
Kujtojmë që përveç formulës së vlerësimit të dosjeve, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kundërshtuar edhe një nen të ligjit të miratuar në 2022 në të cilin përcaktohet se indeksimi i faturës së kompensimit do të bëhet deri në momentin e publikimit të vlerës së kompensimit dhe jo deri në momentin që bëhet ekzekutimi i saj, sikundër është rekomanduar edhe nga Gjykata e Strasburgut. Ndërkohë seanca e radhës u caktua në datën 12 janar të vitit që vjen.