Sali Berisha i është bashkuar protestës para Gjykatës së Lartë, ku po mbahet gjyqi për vulën e PD, ndërsa po ashtu GJKKO shqyrton kërkesën e SPAK për masën ‘arrest shtëpie me mbikëqyrje policore’ ndaj tij.
Gjatë fjalës së tij në podiumin e improvizuar, Berisha tha se asgjë nuk mund ta ndalojë në misionin e tij drejt fitores, duke risjellë edhe një herë fjalinë ‘Unë jam Sali Berisha’.
“Koha është të jemi në këmbë, sy çelë, më të vendosur se kurrë. Shqipëria kurrë nuk do jetë republikë e mafies, por o jetë vend i vullnetit të lirë i shqiptarëve.
Dy muaj bëmë betejë në parlament, ligjet kalonin prapë se prapë, por ne prapë fituam se i treguam botës se në çfarë gjendje kalohen ligjet në Shqipëri. Në mbledhje me zoom, me buxhetin zgjedhor që kalonte në 4 minuta.
Rama e di mirë se me mua nuk ka pazare, nuk i shes kurrë unë demokratët. Dhe atij i mbeste tani vetëm të më burgoste pa asnjë fakt. Mirëpo unë jam Sali Berisha… nuk mund të më pengojë në misionin tim drejt fitores. U them këtu para jush se kurrë Shqipëria nuk do jetë pa opozitë”, tha Berisha.