Në një epokë ku individualiteti dhe komoditeti po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm, tendencat e modës në veshjet e zyrave për vitin 2023-2024 po reflektojnë të njëjtën përqasje ndaj traditave të mëparshme.
Jo më taka të larta dhe kostume të puthitura, tashmë është e qartë që në zyrat e sotme po preferohen veshjet e përditshme dhe të rehatshme. Kjo tendencë shpesh ka të bëjë me kërkimin e një balance të mirë midis profesionalizmit dhe komoditetit.
Marigona Xhaferri, arkitekte dhe influencuese në botën e modës, shprehet se “Veshjet sa më të rehatshme është moda e fundit në zyrë.”
“Po vërejmë se shumë vende pune po kthehen drejt një stili të thjeshtë, duke lejuar një ndërthurje të veshjeve profesionale me ato të përditshme. Xhaketat dhe pantallonat e gjëra, së bashku me xhinset, janë bërë një pjesë e zakonshme e gardërobës së grave në zyrë. Këto veshje ofrojnë një pamje profesionale, ndërsa ruajnë një ndjenjë të lirë dhe të rehatshme gjatë ditës së punës.
Në kohët e fundit, ndryshimet drastike janë vërejtur edhe në zgjedhjen e këpucëve. Femrat tani i preferojnë këpucët e sheshta dhe atletet që mund të kombinohen me veshje profesionale. Atletet janë zgjedhja e preferuar për femrat në zyra pasi kombinohen lehtë edhe me kostumet, duke i bërë veshjet e tyre të duken profesionale edhe në mungesë të takës.
“Po shohim një ndryshim drastik në veshjet e këpucëve, pasi më parë visheshin taka shumë të larta në ekstrem, sot shohim një ndryshim tani më po zgjidhen këpucët e sheshta, po preferohen shumë edhe atletet në punë që mund të kombinohen me një kostum të gjerë kështu edhe duken bukur në zyrë por edhe je komode” – shprehet Xhaferri.
Por takat nuk mund të eliminohen plotësisht pasi një palë duhet të mbahen në zyrë, për ti pasur për takime të rëndësishme. Vajzat e institucioneve të mëdha gjithashtu nuk kanë hequr dorë nga takat por kanë zgjedhur ato që janë më komode.
Tendenca kryesore është përshtatja e veshjeve të zyrës edhe për të dalë pas orarit të punës. Në këtë mënyrë, punonjësit mund të jenë të gatshëm për ngjarjet sociale ose aktivitetet e tjera pas orarit të punës, duke e bërë kështu garderobën e tyre më fleksibile dhe funksionale.
Tani stilistët po synojnë të sjellin kombinime që nuk janë më vetëm për në zyrë por edhe për të dalë pas orarit të punës. Në mënyrë që të shtohen dy-tre aksesorë më shumë dhe transformohet në veshje elegante për të dalë në darkë.
Në ngjyra nuk po shohim ndryshim, tendencat për vitin 2023-2024 sjellin një përqasje në ngjyrat monokrome si bezha, grija, dhe e zeza, të cilat vazhdojnë të dominojnë gardërobat për vite.
Marigona na tregon se veshjet minimale me këto ngjyra pa motive apo dekore tregojnë për një vështrim të thjeshtë dhe elegant.
Pavarësisht preferencave për minimalizëm, aksesoret mbeten një element kyç për të sjellë një prekje personale veshjes.
Xhaferri na rekomandon përdorimin e aksesorëve të lehtë si bizhuteri elegante, shall, ose një orë të butë për të plotësuar pamjen profesionale.
“Aksesorët janë gjithmonë thikë me dy presa, ose do e bëjnë që veshja të duket bukur dhe profesionale, ose mund të vendosësh diçka që nuk është e përshtatshme për zyrën. Gjërat që kanë shumë shkëlqim, që janë të mëdha me shumë gurë, me figura të mëdha, nuk janë të rekomandueshme.
Por një aksesor i lezetshëm, një varëse e vogël, vathë apo një orë, i japin veshjeve një prekje personale dhe bëhen një kombinim shumë i bukur.” – rekomandon blogerja.
Kostumet për meshkujt vazhdojnë të jenë një domosdoshmëri, një “regular fit” është tendenca e re. Nëse më parë ishin kostumet e ngushta pas trupit, tashmë ka një bashkim të tyre me kostumet e gjera të viteve 70-80. Një moderim i të dyjave që i tregon ata me stil dhe seriozë.
Ngjyrat e errëta, si bluja, grija, dhe e zeza për meshkujt janë kryesore në krijimin e një imazhi serioz dhe profesional. Prerjet moderne dhe kostumet tregojnë për një qasje të përshtatshme për ambientin e zyrës.
Në një shoqëri ku pamja dhe prezantimi luajnë një rol të rëndësishëm, veshjet në zyrë shpesh ndikojnë në perceptimin dhe imazhin e një individi, por stili, trendët, dhe veshja varet nga shumë faktorë të ndryshëm si industria, kultura e kompanisë dhe vendndodhja gjeografike.
Sipas Xhaferit, çdo zyrë, çdo profesion ka kodin e vetë të veshjes. Nëse punon në institucione të rëndësishme, veshja duhet të jetë më profesionale. Personat që punojnë në zyra arkitekturore si unë zgjedhin veshjen sipas stilit të tyre. Në zyrë ka disa rregulla bazë që duhen ndjekur; nuk lejohen minifundet, as mëngët e shkurtra, në mënyrë që të kemi sa më prezencë dhe të jemi profesionale – shprehet ajo./Monitor