Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka komentuar nismën e propozuar nga Partia Socialiste për komisionin antikorrupsion.
Ai u shpreh se kur kreu i qeverisë shprehet se kërkon që të bëhet drejtësi në vend, ai në të vërtetë do të thotë se ka qëllim ta kapë drejtësinë.
Sipas tij Rama kërkon të kapë drejtësinë sepse nuk e ka kapur ende plotësisht për shkak të disa vështirësive.
“Përvoja na ka provuar se çdo fjalë që thotë Edi Rama duhet ta kthejmë për së mbrapshti që të kuptojmë të vërtetën. Pra kur ai thotë ka qëllim të bëjë drejtësi, duhet të kuptojmë se ka qëllim të kapë drejtësinë. Kështu e kam lexuar reformën në drejtësi që në fillim. Kur thotë se ky komisioni, që as qëllimin nuk ia thotë saktë, duhet ta kthejmë në të kundërt sërish. Gjykimi im është që drejtësinë kërkon ta kapë sepse nuk e ka kapur drejtësinë plotësisht akoma, sepse ka pasur disa vështirësi dhe ende ka.
Kur bëri Xhafaj reformën në fillim kishin vënë kontroll të ministrisë së drejtësisë mbi shumë aspekte të drejtësisë. Kjo u kundërshtua dhe u tërhoqën nga ajo, por vazhduan përpjekjet për ta kapur në mënyra direkte apo jo. Ishte periudha kur e bëri president Ilir Metën dhe me të u aprovuan disa gjëra që ishin përsëri kapje e drejtësisë. Tani sërish i duket sikur ka hapësira, sepse Rama kështu ka punuar, shkallë shkallë”, u shpreh ai.