SPAK lëshoi një ditë më parë 50 urdhërarreste për kapjen e disa personave, emrat e të cilëve janë të përfshirë në botën e krimit pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky ECC. Operacioni i SPAK mësohet se kryesohet nga prokurorët Alfred Shehu dhe Altin Dumani. Me urdhër të SPAK, Forcat RENEA dhe FNSH zhvilluan një nga aksionet më të mëdha në disa qytete dhe zona, të cilat konsiderohen si baza e grupeve kriminale.
Kontrollet, në kuadër të dosjes Metamorfoza 3, u shtrinë në disa qytete dhe zona si, Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin etj.
Mësohet se urdhër arrest është lëshuar edhe për vëllezërit, Astrit dhe Altin Avdylaj dhe Durim e Valter Bami. Dy të fundit dyshohet se ndodhen në Dubai, ndërsa janë ushtruar kontrolle në banesat e tyre në Nikël.
Sa i takon qytetit të Tiranës, burime bëjnë me dije se janë lëshuar mbi 10 urdhër arreste nga GJKKO për krim të organizuar. Kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Freskut në banesat e fisit Duka, të njohur si armiqtë e Ervis Martinaj, ish-bosi i lojërave të fatit i cili konsiderohet i zhdukur që nga data 8 gusht e vitit 2022.
Në Larushk të Fushë-Krujës burime bëjnë me dije se është ushtruar kontroll në shtëpinë e Albert Zajës, i dënual me 19 vite burg nga Apeli i GJKKO për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Kontrolle janë zhvilluar edhe në Vlorë në banesën e Fatmir Hysenit (Doca), i cili ka eliminuar kohë më parë Santiago Malkën, ish-efektiv policie dhe i njohur si krahu i besuar i Ervis Martinajt.
Vrasjet e bujshme, roli i Sky ECC dhe si u eliminua rrethi i ngushtë i Vis Martinajt
Përveçse shumave të mëdha të parave dhe flori, gjetur gjatë kontrolleve në banesat e bosëve të krimit, disa nga ngjarjet mbi të cilat SPAK ka hedhur dritë, kanë të bëjë me vrasjen e njerëzve të Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej gushtit 2022. Dhe pikërisht ishin përplasjet për këtë biznes që sollën eliminimin e rrethit të ngushtë të miqve të Martinaj.
Mësohet se është zbardhur ekzekutimi i biznesmenit Bardhok Pllanaj, të dielën e Pashkëve, më 4 Prill 2021 në Shkodër. I njohur me nofkën “Kumbari”, ndërtues i pallateve, por i skeduar dhe për trafik droge ishte nisur drejt Malësisë së Madhe, kur një skuadër qitësish profesionistë iu vunë në ndjekje dhe e vranë 50 metra larg shtëpisë, në fshatin Dobraç i Ri.
Po ashtu, dritë është hedhur edhe mbi atentatin e dështuar ndaj 33-vjeçarit Taulant Pepaj më 21 shkurt 2021. Interesante duket se SPAK ka zbardhur edhe përplasjet mes Durim Bamit dhe grupit Avdylaj, që nga miq u kthyen në rivalë.
Është zbardhur vrasja në 2021-in në zonën e Astirit e Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit. Një tjetër rast, është atentati ndaj Can Karriqit, një prej njerëzve më të besuar të Martinajt, atentati ndaj Ylli Brahimit, apo ekzekutimi i Brilant Martinajt. Më tej, burimet thonë, se janë zbuluar disa atentate dhe në Durrës, ngjarje ku përfshihen Plaurent Dervishaj dhe Endrit Dokle, dy personazhe të njohur të bandës së Durrësit.
Mësohet se janë zbardhur:
– Një ekzekutim i një personazhi të rëndësishëm i botës së krimit në fillim të vitit 2021 në qytetin e Shkodrës. Vrasja e Barllok Pllanës dyshohet të jetë kryer nga grupi i Ervis Martinajt.
-Një vrasje në Shkodër dhe një tentativë vrasjeje ku u përfol emri i Elion Hatos, i njohur si një nga “ushtarët” e Ervis Martinajt. Është zbardhur po ashtu vrasja në 2021-in në zonën e Astirit e Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit.
-Atentati ndaj Can Karriqit, një prej njerëzve më të besuar të Martinajt.
-Zhdukja e disa eksponentëve të krimit
-Atentati ndaj Ylli Brahimit, po ashtu ekzekutimi i Brilant Martinajt.
-Disa atentate dhe në Durrës, ngjarje ku përfshihen Plaurent Dervishaj dhe Endrit Dokle, dy personazhe të njohur të bandës së Durrësit.
-Janë zbardhur dhe përplasjet mes grupeve kriminale të Niklës dhe Shijakut. Të përfshirë janë grupi i Avdylajve, ku veçohet emri i Astrit Avdylajt. Urdhërarrest ka dhe për vëllezërit Bami, të përfolur për ngjarje të rënda kriminale.