Në një finale penalltitë janë gjithnjë të mundshme dhe nuk do të ishte aspak çudi që të ndodhnin edhe të dielën. Nëse kjo do të materializohej, aktorë kryesorë do të ishin portierët.
Qirko dhe Sherri pritet të jenë në kuadratet respektive dhe duhet thënë se bëhet fjalë për dy portierët më të mirë të këtij sezoni. Të dy kanë arritur të tregojnë aftësitë në momente të veçanta. Por nëse i matim nga penalltitë, gardiani i Partizanit duket më i avantazhuar.
Qirko ka pritur plot tri penallti në këtë sezon dhenjëra është në finalen e Superkupës përballë Fernandos së Egnatias. Në dy rastet e tjera kandalur Ujkën dhe Denisonin. Gardiani i Partizanit ka pësuar tre gola përballë Balajt, Kahrimanoviç dhe Lopez të Inter D’Eskaldes.
Sherri nga ana tjetër nuk ka pritur asnjë 11- metërsh në këtë sezon. Kanë qenë katër lojtarë që i kanë shënuar, tre në ndeshjet me Tiranën. Gjithsesi, shkodrani mbahet mend për një kualifikim të pak viteve më parë që i dhuronte Laçit në Europë përballë ekipit të Keshla me një penallti të pritur.
Gjatë karrierës ai ka ndalur një herë edhe Santiago Selmanin e Laçit. Qirko nga ana tjetër ka pritur gjashtë penallti në total në karrierën e tij, sipas statistikave të rezervuara nga “Transfermarkt”.