Vjen një moment që të jesh skuadra më e mirë nuk mjafton. Ky është rasti i Egnatias, asaj që ka dominuar futbollin shqiptar në këto dy vite të fundit, por që serinë e trofeve radhazi e ndali në ndeshjen e së enjtes kundër Dinamos, duke humbur në finale me penallti Kupën, trofeun që e kishte fituar dy herë radhazi në vitet e fundit.
Përveç kësaj, Egnatia kishte nisur edhe një seri trofesh vjet, duke fituar Kupën, titullin kampion dhe Superkupën. Në këtë fundsezoni erdhi momenti për t’u caktuar trofe të tjerë dhe mundësinë e parë rrogozhinasit e humbën, pavarësisht se e dominuan Dinamon dhe ishin skuadra që kontrolloi lojën.
Në këtë moment, “zinxhiri” i trofeve që synonin kampionët u “këput”. Rrogozhinasit në vitet e fundit kanë krijuar një stil loje thuajse “të pathyeshëm” nga rivalët, duke shfaqur edhe diferenca të dukshme në fushë. Por finalja e Kupës tregoi se edhe kampionët në fuqi mund të thyhen.
Gjithsesi, Kupa ishte vetëm një nga objektivat dhe i radhës është titulli, ku përballë do të ketë Partizanin. Në letër, rrogozhinasit janë më të avantazhuar dhe do të synojnë të kthehen skuadra që “sundon” futbollin shqiptar. Në betejën e fundit mes tyre, Partizanin e eliminuan nga Kupa e Shqipërisë në gjysmëfinale dhe do të provojnë të bëjnë të njëjtën gjë në këtë betejë të radhës, këtë herë në “Arenën Kombëtare”, stadiumin më modern në vend. Kjo me Partizanin, vendimtare për ciklin fitues që rrogozhinasit synojnë të vendosin.