Dy janë lojtarët e Tiranës që mund të largohen në një destinacion të ri në qershor. Bëhet fjalë për Mahamadu Dembelenë dhe Ualid Zharmuni. I pari është një nga sportistët më të mirë të mbrojtjes, ndërsa i dyti golashënuesi i skuadrës.
Dembele kërkohet në Austri, Turqi, si dhe ka interesim nga skuadrat skandinave. E njëjta situatë është edhe për Zharmuninë. Futbollisti ka pasur oferta nga kampionati turk dhe Tirana nuk dëshiron që të humbasë sulmuesin pa bërë një sezon me bardheblutë. Vlera e Zharmunit është 300 mijë euro, ndërsa ajo e Dembelesë 250 mijë euro. Tirana kërkon që të marrë të paktën 500 mijë euro nga ky operacion, ndërsa ende nuk ka caktuar një çmim të paktën për Zharmuninë, që pëlqehet nga disa klube dhe duan të dinë vlerën e kartonit dhe janë interesuar te bardheblutë.
Edhe situata e Ermal Metës do të vlerësohet. Në verë u bllokua nga Tirana, për t’u shitur në Ukrainë, pasi skuadra bardheblu kërkonte më shumë para nga ekipi i huaj. Edison Kola vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së merkatos në dalje të Tiranës.
Lojtari është kërkuar para pak kohësh nga skuadra e Helsinkit. Finlandezët ofruan rreth 250 mijë euro për të marrë shërbimet e mbrojtësit të Tiranës. Për momentin, klubi bardheblu ka thënë “jo”, por nuk është e thënë që gjërat të ndryshojnë dhe Tirana të shesë lojtarin e mbrojtjes në këtë merkato vere.