Zgjedhjet e 11 Majit! Bylykbashi: Të zgjatet afati i vlefshmërisë së dokumenteve, 460 mijë votues po presin

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka ngritur shqetësimin se mbi 466 mijë qytetarë me të drejtë vote në Shqipëri mund të mbeten jashtë procesit zgjedhor të 11 majit, për shkak të mungesës së dokumenteve të vlefshme të identitetit.

Në një deklaratë për media, ai e cilësoi vendimin e qeverisë për të zgjatur vlefshmërinë e dokumenteve vetëm për qytetarët jashtë vendit si diskriminues dhe antikushtetues.

Bylykbashi kërkoi nga qeveria shqiptare që të nxjerrë menjëherë një akt normativ për zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve për të gjithë, me qëllim garantimin e së drejtës për të votuar. Ai i bëri thirrje edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave ndërkombëtare si OSBE-ODIHR dhe Këshilli i Europës që të reagojnë ndaj kësaj situate.

DEKLARATË PËR MEDIA N/KRYETARI I PD, OERD BYLYKBASHI

Sot janë 466 mijë shtetas me të drejtë vote të cilët nuk kanë një dokument të vlefshëm identiteti, as letërnjoftim, as pasaportë. Qeveria Shqiptare zgjati vlefshmërinë vetëm për zgjedhësit që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke diskriminuar ata që janë në Shqipëri. Ky diskriminim është antikushtetues dhe rrezikon të drejtën e votës së këtyre 466.000 shtetas që banojnë në Shqipëri, dhe më 11 maj duan të votojnë e të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese. I kërkojmë qeverisë që pa vonesë të nxjerrë aktin normativ dhe të zgjatë vlefshmërinë e dokumenteve të identitetit vetëm për arsye zgjedhore, që këta shtetas më 11 maj të kenë mundësi të votojnë.

I kërkojmë KQZ, si organi suprem në mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të kërkojë me forcë pranë qeverisë në mënyrë që këta shtetas të kenë mundësi që të votojnë. Gjithashtu tërheqim vëmendjen e mekanizmave ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve, siç është OSBE-ODIHR, OSBE-ja, Këshilli i Europës dhe çdo institucion tjetër ndërkombëtar, që të vënë në dukje këtë shkelje të të drejtave të shqiptarëve. Kjo të bëhet tani, menjëherë, në mënyrë që më 11 maj të gjithë shqiptarët të kenë të drejtën të shprehen për ndryshimin, për të ndryshuar këtë regjim autokratik.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook