Kërkimet për gjetjen e 29 vjeçarit Ardit Beshiri, i cili u rrëmbye bashkë me mjetin eskavator teksa po punonte në një stog minerali në zonën e njohur si Qaf Burrel të Klosit, vijojnë pa ndërprerje.
Grupeve të kërkim-shpëtimit i janë shtuar edhe ekipe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë mbërritur këtë të mërkurë pranë vendit ku po zhvillohen kërkimet.
Deri tani mësohet se janë disa shenja rrobash që dyshohet të jenë të 29 vjeçarit, dhe disa mbetje të mjetit eskavator, me të cilin ai po punonte në momentin që u rrëmbye nga rrjedha e ujit dhe inertet si pasojë e çarjes së një prej rezervuareve të filtrimit të ujit.
Kërkimet po bëhen me mjete të rënda, me krah nga ana e ushtrisë si dhe me anë të disa aparaturave që detektojnë trupa nën tokë.
Ndërkohë, burime bëjnë të ditur se në zonën ku janë gjetur rroba është vendosur perimetri i sigurisë dhe ekipi i kërkimit po bën të mundur heqjen e dheut në mënyrë të ngadaltë për të parë nëse do të jetë trupi i pajetë i 29 vjeçarit Ardit Beshiri.
Kërkimet për gjetjen e të riut pritet të vazhdojnë pa ndërprerje në të gjithë gjatësinë e luginës nga fabrika e përpunimit të mineralit të kromit e deri në pjesën fundore.
29 vjeçari Ardit Beshiri të shtunën e 3 Majit ishte duke punuar me një mjet eskavator teksa një nga rezervuaret e ujit shpërtheu dhe e mori me vete bashkë me mjetin.
(Enver Doçi/)