Deputeti socialist dhe kandidati për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Tiranë, Fatmir Xhafaj, theksoi në studion e News24 se reforma në drejtësi është një proces që kërkon konsolidim, duke shtuar se është një kërkesë e përsëritur e vetë Bashkimit Europian dhe një nevojë e brendshme e sistemit.
“Është gabim të mendohet se reforma në drejtësi është një proces i përfunduar përgjithmonë. Institucionet e reja duhet të konsolidohen në përputhje me standardet më të mira evropiane,” deklaroi Xhafaj, duke e cilësuar këtë si një nga pikat kyçe të angazhimit të tij politik në këtë fushatë.
I njohur si një nga figurat kryesore në hartimin dhe mbikëqyrjen e reformës, Xhafaj iu përgjigj kritikëve të procesit, duke i quajtur akuzat ndaj reformës “spekulime të pastra publike”.
Ai vuri në dukje se Komisioni Parlamentar për Antikorrupsionin, që ai drejton, është një nga institucionet më transparente: “Çdo dokument, çdo letër, çdo vendim është publik në faqen zyrtare të komisionit. Ka një analizë me 700 faqe, ku është skanuar puna e ekzekutivit dhe parlamentit në çështjet e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit.”
Xhafaj rikujtoi se edhe në fillimet e reformës pati përplasje politike dhe sulme të shumta, por puna dhe rezultati flasin vetë: “Kur nisi reforma, pati shumë rezistencë, brenda dhe jashtë komisionit. Por ajo që mbetet është produkti. Fjalët ikin, puna mbetet.”
Për opozitën, Xhafaj pati një thirrje të drejtpërdrejtë: “PD është mirë të shkojë të bindë qytetarët dhe të realizojë atë që thotë kur të vijë në pushtet. Fakti që jemi ne sot, tregon që qytetarët na kanë besuar.se do bëjmë ato që themi.”