“Nëndetësja” del mbi ujë, Dinamo shkon në Europë pas 15 vitesh

Më në fund, pas më shumë se një de kade me probleme e rënie të njëpasnjëshme, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar po kthehet në origjinë, te trofetë dhe sukseset.

Po flasim për fituesen e Kupës së Shqipërisë, Dinamon. Skuadra kryeqytetase mësoi të mos bëjë gabimet e së shkuarës dhe këtë sezon e nisi dhe e përmbylli në mënyrë pozitive, pavarësisht se mund të kishte marrë edhe më shumë, duke pasur parasysh individët që kishte, investimin e madh dhe faktin që drejtohej nga një strateg i trajningut shqiptar, si Ilir Daja.

BILANCI – Blutë në fund mundën të ktheheshin të fitonin Kupën e Shqipërisë pas plot 22 vitesh, një sukses i madh, i arritur në një finale plot emocione kundër Egnatias, ku triumfuan pas gjuajtjeve të penalltive. Sa i përket kampionatit, 36 javët Dinamo i mbylli në vendin e tretë, teksa në “Final 4” u eliminua mes polemikash nga Vllaznia në gjysmëfinale.

NË EUROPË – Por kaq mjaftoi që blutë të sigurojnë një vend në kompeticionet europiane. Skuadra e Ilir Dajës në këtë sezon do të debutojë në Ligën e Konferencës, një kompeticion i ri, të cilin Dinamo nuk e ka prekur ende. Ky kualifikim i sivjetshëm në Europë për “Nëndetësen” vjen pas plot 14 vitesh. Hera e fundit që kryeqytetasit luanin në kompeticionet e Kontinentit të Vjetër ishte sezoni 2010- 2011, kur eliminoheshin nga moldavët e Sherif Tiraspol në raundin e parë të Champions League. Më pas bluve iu desh të mbijetonin në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar për vite të tëra, derisa presidenti Bardhi vendosi të investonte në klub dhe në harkun e pak viteve e ktheu në situatën e sotme, duke fituar trofe, pretenduar titullin dhe nxjerrë lojtarë si Mandela apo Zabërgja, që pritet të shiten për shifra rekord.

BILANCI – Ashtu si shumica e klubeve shqiptare, edhe Dinamo nuk ka ndonjë bilanc mbresëlënës në kompeticionet europiane, teksa në total, sipas arkivave, ka arritur të ekzekutojë vetëm dy kualifikime. Një në 2002- shin, kundër Kaunas në Champions dhe një tjetër më 1989, në Kupën e Kupave kundër Çernomorets. Siç shihet në tabelë, në të gjitha rastet e tjera blutë kanë dështuar të kalojnë raundin e parë.

SHANSI – Me krijimin e Ligës së Konferencës, për klubet shqiptare është bërë më e mundur të kalojnë ture dhe Dinamo do të provojë padyshim të shkruajë histori të re. Klubi blu do të mbajë të gjithë lojtarët aktualë dhe do të sjellë edhe disa përforcime për të synuar të përparojë sa më shumë dhe për të sjellë sa më tepër përfitime financiare në arkat e klubit. Fakti është se Ilir Daja ia di sekretet këtij kompeticioni (Ligës së Konferencës), sepse ka shkuar dy herë në grupe me Ballkanin e Suharekës, duke shkruar historinë e futbollit kosovar dhe mbarëshqiptar. Më parë, tiranasi ka arritur të kualifikohet në grupet e Ligës së Europës me Skënderbeun.0


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook