Izmir Smajlaj u zgjodh president i ri i Federatës Shqiptare të Atletikës pas zhvillimit të zgjedhjeve të fundit. Smajlaj ka dhënë një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, ku u përgjigj për shumë tema. Në bisedën e bërë me Trevisa Tufën, ai flet për aspektin personal, pakënaqësitë e ndryshme, të ardhmen e atletikës, ndërsa në fund nuk mungoi një mesazh për të apasionuarit pas sportit.
Izmir, një kapërcim shumë i fortë dhe i shpejtë, nga pista në krye të Federatës, pse ky vendim, çfarë të shtyu të konkurrosh për postin e presidentit të Federatës?
Unë e kam shfaqur si dëshirë që para dy vjetësh. Edhe me ndërkombëtaret, edhe me sportistët. Ne jemi rritur me atletikë që të vegjël edhe i njohim sakrificat që ka sporti. Ato gjëra që i kam vuajtur për vete, kam qef t’ia jap brezit të ri.
Nuk ishin zgjedhje ideale, nuk munguan as disa akuza, apo pakënaqësi, mbi të gjitha nga një figurë si Luiza Gega, keni një koment, një përgjigje për të?
Asambleja kishte seriozitet, kishte transparencë. Nuk kam dëshirë të merrem me çështje personale, por në fund, komuniteti i Atletikës është ai që vendosë.
Cili është projekti juaj për të drejtuar Federatën e Atletikës, cili është plani më ambicioz që keni?
Gjëja e parë që është e domosdoshme, shtrirja e atletikës në gjithë Shqipërinë, na duhet ta masivizojmë. Duhet të jetë në të gjitha qytetet, edhe aty ku nuk ka pista apo palestra. Nëpër fshatra, nëpër rrethe, mund të gjejmë talente.
A mund të përsëritet sërish historia e Luiza Gegës, apo dhe historia juaj, a mund ti sjell Atletika sërish medalje Shqipërisë?
Dua të bëj këtë gjë, do i mbështes të gjithë talentet. Unë e di ccfarë do të thotë të kesh përkrahjen e duhur.
Çfarë i duhet sot Atletikës Shqiptare, keni një apel, një kërkesë për Qeverinë?
Shpresoj që në vitin 2026, atletika të jetë pjesë e projekteve sportive.
A keni ndonjë mesazh?
Unë bëj thirrje që të gjithë të merren me atletikë. Atletika është sporti bazë për të zhvilluar aftësitë e çdo lloj sporti tjetër. Që të jesh një lojtar i mirë, duhet të jesh një atlet i mirë.
A të mungon pista?
Patjetër që po, këto ditë kam ndjenjur pa stërvitje. Javën tjetër, do filloj edhe një herë, që ta ndjej afrimitetin me pistën.
(J.S/)