Kompania “Shijaku” në shënjestrën e SPAK/ Çoi për skrap rafinerinë e naftës në Ballsh dhe ‘rastësisht’ mori leje për park fotovoltaik. Si iu dha statusi i investitorit strategjik te “Plazhi i Gjeneralit”

Emisioni investigativ Vetting, News24

Zgjatimet e kompanisë “Shijaku”
Sa herë që prezantohen nisma të reja, një skenar i njohur përsëritet, ku ata që përfitojnë janë pothuajse të njëjtët aktorë. Prej vitit 2020, qeveria aktuale i dha pothuajse falas kundrejt çmimit simbolik 1 euro, 140 mijë metër katrorë tokë publike, pjesë e vendkomandës qendrore të Ushtrisë në zonën e Saukut kompanisë “SHIJAKU” sh.p.k. Me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, shoqëria private ka përfituar këtë pronë për një periudhë 20-vjeçare.

Sipas draft kontratës së miratuar nga Këshilli i Ministrave, brenda 48 muajve nga momenti i marrjes së lejes për të operuar me projektin, kompania duhet të ketë investuar 1.5 miliardë lekë ose rreth 16 milionë euro. Në draft kontratë parashikohet që të punësohen 80 punonjës sipas 3 fazave të projektit. Në fazën e parë parashikohet punësimi i 35 personave brenda 2 viteve nga fillimi i zbatimit të kontratës dhe në fazën e dytë pjesa tjetër prej 50 personash.

Duke hulumtuar dokumentet e kompanisë jo vetëm që “SHIJAKU” sh.p.k nuk ka shtuar numrin e punonjësve për periudhën 2020-2023, por ka ulur numrin e personave të punësuar.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut të përfshirjes së kompanisë “Shijaku” në një rrjet më të gjerë nismash ekonomike, që janë shoqëruar nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme.

Por cila është historia e “Shijaku” sh.p.k dhe pse del atje ku ka afera?
Në vitin 2021 rafineria e Ballshit do t’i kalonte privatit nëpërmjet ankandit nga banka një kompanie private. Privatizimi i saj nëpër duar të ndryshme derisa u shkatërrua përfundimisht ishte një tragjedi që goditi ekonominë e zonës përreth dhe fundi i një epoke industriale në Shqipërinë e tranzicionit.

Edhe në këtë rast, kompania që privatizoi ish-rafinerinë do të ishte “SHIJAKU” sh.p.k në pronësi të vëllezërve Petrit, Bilal dhe Shpëtim Shijaku.

Kjo kompani ka qenë vazhdimisht pas çdo projekti që përfshinte marrjen e pronave shtetërore dhe rafineria është një shembull se si tregon shkatërrimin, tjetërsimin për të transferuar trojet me vlerë të ulët te njerëzit e lidhur me pushtetin.

Emri i kësaj kompanie do të binte në sy duke blerë territorin ku ka qenë rafineria e naftës me qëllim çmontimin dhe shkrirjen e saj për hekur skrap. Në vitin 2021, banka që kishte në zotërim rafinerinë tentoi të realizonte ringjalljen e këtij sistemi industrial, por duheshin investime me vlerë 25-30 milionë euro dhe në pamundësi për të tërhequr investitorët ish-rafineria iu shit “SHIJAKU” sh.p.k me vlerë 9 milionë euro.

Por pas këtij investimi, një lëvizje që duket të ketë pasur një qëllim të qartë për shkrirjen dhe shndërrimin e saj në hekur skrap, historia do të merrte një kthesë tjetër.

Nga verifikimet e kryera nga “Vetting” rezulton se në mars të vitit 2022, Shpëtim Shijaku bleu kompaninë që e kishte vetë nën zotërim “GreeNNat Solar Park Ballsh” sh.p.k me një çmim prej 100 mijë lekësh drejt kompanisë “Shijaku” sh.p.k në të cilën ai zotëron 33.33% të aksioneve ndërsa aksionet e tjera janë të ndara në mënyrë të barabartë mes vëllezërve Shijaku.

Blerja e rafinerisë për 9 milionë euro duket se ka qenë e mirëmenduar sepse në vitin 2023 Këshilli i Ministrave vendosi ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike në zonën ku ka qenë rafineria nga shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH” nën pronësinë e kompanisë “Shijaku”.

Paqartësia më e madhe zbulohet në nëntor të vitit 2023, ku të tre vëllezërit Shijaku bashkëpronarë të kompanisë “Shijaku” sh.p.k pasi kanë marrë një sipërfaqe të madhe toke, lejen për central fotovoltaik, vendosën t’ia shisnin “Green Solar Park Ballsh” sh.p.k shoqërisë “Infotelecom-albsolar 3” sh.p.k me një çmim prej 1.95 milionë eurosh.

Por “SHIJAKU” do të përfshihej në një tjetër projekt, i cili do të pësonte ndryshime për shkak të pengesave ligjore.

Në fund të vitit 2021, Shpëtim Shijaku nëpërmjet kompanisë që sapo kishte themeluar “MEDITERRANEAN WAVE” do të përfitonte nga qeveria shqiptare statusin “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për Projektin e Investimit “MEDITERRANEAN WAVE”. Përmes këtij projekti, pushteti i dha të drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të plazhit ranor për 30 vjet për një nga zonat më të lakmuara në Shqipëri, Plazhi i Gjeneralit. Paralelisht, shteti ka marrë përsipër të ndërtojë ujësjellësin, impiantin e ujërave të zeza, infrastrukturën rrugore dhe nënstacionin e energjisë elektrike. Të gjitha këto ndërtime, të cilat do të shërbenin ekskluzivisht vetëm për resortin dhe të pasurit që do të blinin rezidencat në atë zontë, do të ndërtoheshin me paratë nga xhepat e qytetarëve.

Pra, me një vendim qeveria i “fali” një kompanie private rreth 50 milionë euro asete shtetërore. Por pas verifikimeve në terren, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i propozoi Komitetit pezullimin e projektit për shkak se binte ndesh me planin urbanistik të zonës. Dy vite pas miratimit të statusit, projekti do të pezullohej nga Komiteti i Investimeve Strategjike pasi duhej të rishikohej gjurma e projektit.

Në projektin fillestar sipërfaqja e ndërtimit ishte 199 mijë metra katrorë dhe shtrirja totale e projektit ishte 635 mijë metra katrorë, por në udhëzimin e ri, Komiteti i ka vendosur një kufi prej 100 mijë metrash katrorë, duke i hequr 500 mijë metra katrorë projektit me një të rë të lapsit.

Dyshimet janë se kjo zmbrapsje e qeverisë shqiptare mund të lidhet me faktin se kompania ishte pjesë e dosjes hetimore të SPAK-ut.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorët gjendet edhe emri i kompanisë “Shijaku” dhe lidhjet e saj me skandalet e inceneratorëve, ku dyshohet se ka pasur ndërhyrje të paligjshme në një mori kontratash me vlerë disa dhjetëra miliona euro. Sipas hetimeve, dyshohej se kjo kompani është përdorur për të fshehur dhe për të kaluar fonde që lidhen me individë të njohur si Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar për skandale të lidhura me inceneratorët.

Nga ana tjetër, hetimet e SPAK hedhin dritë mbi lidhjet mes biznesit dhe politikës, dhe veprimet që kanë mundësuar përfitime të paligjshme, përmes përdorimit të shoqërive si mbulim për transaksione të dyshimta.

Sipas data analistes Anila Salianji, nisma “Shqipëria 1 euro” që u fillua për të nxitur punësimin, për të tërhequr investitorë të huaj dhe për të krijuar parqë industriale, nuk është duke u zbatuar me planin e saj fillestar.

“Duke marrë në nivel makro në gjithë këto vite shifrat e papunësisë nuk është se kanë rënë, kshu që edhe qëllimi për të krijuar vende të reja pune nuk është realizuar”, tha për “Vetting” Salianji.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook