Koalicioni i të rinjve “Nisma Shqipëria Bëhet” mbylli sot fushatën elektorale me një aktivitet të madh në zemër të Tiranës. Në takim morën pjesë mijëra qytetarë, të cilët përkrahën energjinë dhe vizionin e këtij koalicioni. Ndërkohë, drejtues dhe kandidatë të “Nisma Shqipëria Bëhet” në fjalën e tyre theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë dhe nevojën për të përmbysur tranzicionin 34-vjeçar.
Kryetari i koalicionit për Tiranën, Endrit Shabani, theksoi se shqiptarët e kanë treguar hapur vullnetin e tyre në çdo cep të vendit për të votuar ndryshimin.
Në formë simbolike, Shabani copëtoi merimangën që sipas tij është simboli i rrjetës së ngritur nga politika e vjetër, një rrjetë kjo korrupsioni, interesash ekonomikë, nepotizmi etj.
“Jemi mbledhur sot këtu tek ish-stacioni i trenit. Gjatë fushatës kemi shkuar tek ish-stadiumi Dinamo, ish-uzina e traktorëve, ish-Kombinati Tekstil… Kanë 34 vite që ata që e morën vendin i shitën të gjitha dhe ato që nuk arritën t’i shesin, i shkatërruan dhe copëtuan dhe sot kemi mbetur vetëm me ish.
Prandaj të dielën votoni ndryshimin, që të hënën të zgjohemi me ish-Partinë Demokratike, ish-Partinë Socialiste, ish-kryetarin e PD, ish-Kryeministrin Rama… Ka nga ata që s’e kanë marrë vesh ende që shqiptarët e kanë vendosur ndryshimin. I ftoj të shkojnë në çdo cep të Shqipërisë dhe të shohin sesi qytetarët do të votojnë ndryshimin”- tha Shabani duke kërkuar votat për koalicionin e të rinjve, Nr.6 në fletën e votimit.
Nga ana e tij, Adriatik Lapaj falenderoi qytetarët që patën besim tek të rinjtë që sot përfaqësohen me “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kryetari i koalicionit tha se në 6 maj është betejë mes atyre që luftojnë për të mbajtur me çdo kusht zyrat dhe të rinjve që duan të depolitizojnë administratën.
“çdo shtetas që do të kontribuojë për vendin, sot e ka një shtëpi politike dinjitoze. Kushdo që do të rritet politikisht e ka rrugën të shtruar në shtëpinë tonë të përbashkët. Në këto zgjedhje ka dy palë, ata që luftojnë për të mbajtur pushtetin dhe ne që garojmë për të mbajtur shtetin” – tha Lapaj.Nënkryetari i koalicionit, Panajot Soko, theksoi se ekonomia shqiptare i ka të gjitha potencialet të rritet edhe me 10 apo 15%. Ai shtoi se “Nisma Shqipëria Bëhet” kërkon të shembë sistemin korruptiv që ka synim të grabisë xhepat e shqiptarëve dhe t’i çojë ato në xhepat e pak njerëzve që jetojnë në kodër.
“Jemi një ekonomi e pashfrytëzuar. S’kemi asgjë më pak se të tjerët që shqiptari mesatar të marrë 1500 euro, por do vullnet. Dhe pikërisht qendrueshmëria dhe vullneti ynë është ajo që i duhet vendit për të ecur përpara. Ndaj në datën 11 votoni numrin 6, për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj” – tha Soko.
()