Nga Genc Burimi
Siç ishte lajmëruar që në fillim, vizita e parë nderkombëtare e kancelarit të ri gjerman Frederik Merz iu rezervua Parisit. Emanuel Makron mezi po e priste këtë moment për t’i dhënë një hov të ri marrëdhënies së veçantë franko-gjermane që qe transformuar në një gjumë të thellë letargjik gjatë mandatit të Olaf Sholzit. Përveç konferencës së përbashkët për shtyp, dy burrat e shtetit më të rëndësishëm aktualisht në Europë, botuan një tekst të shkurtër programatik për të ardhmen e Europës të cilin po e riprodhojmë më poshtë të plotë. Është e mahnitshme se si në një kohë kaq të shkurtër, dhe në kaq pak rreshta dy krye-europianët janë të aftë t’u japin mbarë qytetarëve të BE-se, një vizion dhe një program, aty ku Edi Rama në fushatë elektorale është treguar i paaftë t’u propozojë më pak se dy milionë shqiptarëve dy-tre gjëra serioze për një mandat të katërt.
Më ironikja është se e vetmja gjë që premton kryeministri shqiptar – një pasaportë europiane për Shqipërinë- jo vetëm që nuk figuron në vizionin e përbashkët franko-gjerman, por dhe fjala zgjerim i BE-së duhet kërkuar me lupë në dokumentin e tyre programator. Flitet në këtë dokument për gjithshka që lidhet me të ardhmen e Europes por vetëm për zgjerimin jo. Për të qenë më i saktë, fjala zgjerim përmendet një herë kalimthi në tekst brenda një fjalie “bizarre” ku nocioni i zgjerimit përzihet me atë të “Komunitetit Politik Evropian” që përfshin 47 vende. Ky forum konsultativ paneuropian sigurie mblidhet në 16 maj në Tiranë, siç u mblodh para dy vjetësh në Moldavi. Të vësh Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në të njëjtin plan si me Azerbajxhanin ose disa vende të tjera në periferi të BE-se që s’kanë vokacion të jenë një ditë anëtare të BE-se, kjo nuk mund të konsiderohet si prelud për një “pashaportë europiane të Shqiperise”, një shpikje e mirëfilltë e Ramës sa për të marrë vota në 11 maj.
E vërteta është se fjalën zgjerim në teksin e mëposhtëm, jo vetëm që dy liderit kryesorë të BE-së e përmenden vetëm një herë, me gjysëm zëri dhe në fund fare, por e paraprinë atë qartazi me kushtin që BE-ja duhet të reformohet nga brenda përpara se të mirëpresë në planin e jashtëm anëtare të rinj. Përkthyer në shqip kjo do të thotë thellim i BE-së përpara zgjerimit të BE-së. Dhe nuk është Edi Rama që ka në dorë shkopin e dirigjentit se si dhe kur do të reformohet nga brenda BE-ja.
Për ta mbyllur këtë parathënie para se t’ja lëmë fjalën më poshtë Merzit dhe Makronit, ja paragrafi i fundit i plotë ku përmendet shkarazi zgjerimi. Përveç dy hartuesve të këtij teksti pakkush do të mund ta kuptojë se çfarë duan të thonë konkretisht kur bëhet fjala për zgjerimin e BE-së.
“Së fundi, ne kemi nevojë për reforma për të siguruar stabilitetin e Evropës. Këto reforma shërbejnë shërbejnë si nga brenda për të promovuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe kapacitetin e BE-së për të vepruar, ashtu dhe në nivelin e jashtëm, për t’u përgatitur për zgjerimin dhe për të adresuar sfidat gjeopolitike, duke u mbështetur edhe në Komunitetin Politik Evropian”.
Çfarë kontrasti midis këtij nocioni qartazi të vagullt të zgjerimit që shpalosin liderit e vërtetë të BE-së dhe zgjerimit entuziast që predikohet nga funskionarët e pa votuar të Komisionit europian me zonjat Kos e Von Der Layen në krye. Kë të besojmë, Merz apo Von der Layen? Le të shpresojmë që Kryeministri shqiptar mos të vazhdojë manipulimin duke na e paraqitur edhe samitin e Europës-kontinent më 16 maj në Tiranë si samit të BE-së që mblidhet për t’i premtuar Shqipërisë një pashaportë europiane më 2030. “Ai që s’ka frikë të premtojë gjëra të pamundshme, e bën sepse e di që s’ka për t’u lodhur që t’i realizojë”. Konfucius..
Dokumenti programator për BE-në hartuar nga Makron dhe Merz
Në një kohë kur po përballemi me një luftë në kontinentin tonë, me një konkurrencë të ashpër globale, me ndryshime klimatike dhe teknologjike që po përshpejtohen, si dhe me kërcënime konfliktesh tregtare globale, ne kemi rënë dakord për një axhendë gjithëpërfshirëse për të ridimensionuar marrëdhënien franko-gjermane dhe për të forcuar Evropën.
Ne duam ta bëjmë partneritetin tonë edhe më strategjik, më operacional, në mënyrë që të arrijmë rezultate konkrete si për qytetarët tanë ashtu dhe dhe për ata të mbarë Bashkimit Europian.
Ne do të vëmë në shërbim të gjithë BE-së koordinimin dhe reflekset bashkëpunuese franko-gjermane për ta bërë Evropën më sovrane duke e vënë edhe më shumë theksin në fushën e sigurisë, konkurrencës dhe integrimit mes vendeve tona.
Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka shkatërruar iluzionin se paqja dhe siguria ishin të garantuara në Evropë. Tashmë kemi filluar të marrim përgjegjësi më të mëdha për sigurinë tonë dhe do të bëjmë edhe më shumë. Ne do të vazhdojmë të rrisim aftësitë tona mbrojtëse për të forcuar shtyllën evropiane të NATO-s.
Ne do të rrisim shpenzimet tona për sigurinë dhe mbrojtjen, do të mbështesim bazën industriale dhe teknologjike të mbrojtjes evropiane dhe do të promovojmë në planin tregtar preferencën për mallra dhe shërbime evropiane, duke u mbështetur në propozimet e bëra nga Komisioni Europian në fushën e investimeve publike dhe private.
Në fushat më strategjike, ne duhet të zvogëlojmë varjen nga jashtë, të shtojmë numrin e sistemeve të mbrojtjes që ekzistojnë në Evropë, të zhvillojmë standardizimin dhe ndërveprueshmërinë midis produkteve europiane në mënyrë që të krijojmë një treg të brëndshëm me performancë të lartë. Të bëhemi “atleti më i mirë” në botë në fushën e industrisë dhe të vazhdojmë përpjekjet për të zgjidhur problemet e financimit. Ne duhet të përforcojmë prodhimin dhe blerjet midis vendeve tona të BE-së në fushat prioritare të caktuara në nivel evropian.
Ne do të krijojmë dhe mbledhim rregullisht një Këshill Franko-Gjerman të Sigurisë dhe Mbrojtjes në veçanti për të koordinuar mbështetjen tonë për Ukrainën, për të planifikuar prodhimin tonë industrial në fushën e mbrojtjes, për të fiksuar objektivat tona strategjike dhe hartuar planet tona të ardhshme strategjike kombëtare. Ne do t’i japim frymë të re projekteve tona të bashkëpunimit dypalësh të mbrojtjes për të përmbushur nevojat tona aktuale dhe të ardhshme duke zhvilluar një program të përbashkët inovacioni në fushën e mbrojtjes.
Ne do të kemi gjithashtu një qasje të përbashkët ndaj Rusisë dhe kërcënimit sistemik që ajo paraqet ndaj sigurisë evropiane. Ne mbetemi solidarë dhe të vendosur për një Ukrainë sovrane dhe të pavarur. Ne kurrë nuk do të pranojmë një paqe të imponuar dhe do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën kundra agresionit rus.
Ne do të punojmë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, Ukrainën dhe partnerët tanë evropianë për të arritur një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë, sapo të vendoset ky armëpushim, për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, me mbështetjen ushtarake të SHBA-ve dhe me garancitë e forta të sigurisë për një ushtri të fortë ukrainase e aftë për të penguar çdo agresion të mëtejshëm rus në të ardhmen. Begatia për vendet tona është kushti parë për sovranitetin tonë.
Ne do të përshpejtojmë zbatimin e agjendave ekonomike të BE-së për të arritur rezultate konkrete. Për të ulur kostot e energjisë dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji, Franca dhe Gjermania do të zbatojnë një riorganizim të politikave të tyre energjetike, në respekt të klimës, konkurrencën së ndershme dhe sovranitetit.
Kjo arrihet duke promovuar neutralitetin karbonik teknologjik me anë të trajtimit pa diskriminime të të gjitha energjive me karbon të ulët brenda Bashkimit Evropian. Kjo arrihet me një qasje pragmatike ndaj hidrogjenit me karbon të ulët dhe ndaj gazit natyror që duhet konsideruar si një burim kalimtar energjie për shtetet e BE-së që kanë nevojë për të; kjo arrihet duke bërë kujdes në emetimet e karbonit si pjesë e përpjekjeve për të përmbushur qëllimet tona të energjisë. Bazuar në një pamje gjithëpërfshirëse të tregjeve tona të energjisë, ne jemi të përkushtuar të bëjmë investime efikase në rrjetet kryesore, veçanërisht në infrastrukturën ndërkufitare.
Ne jemi dakord që çdo objektiv i ri klimatik do të kërkojë strategji të besueshme për të siguruar konkurrencën e BE-së dhe për të parandaluar emetimet në karbon.
Ne gjithashtu duhet urgjentisht të reduktojmë barrën administrative në BE që po pengon rritjen duke rishikuar të gjitha rregullat evropiane, duke hequr kufizimet duke ruajtur ambiciet që i kemi vendosur vetes.
Ne mbështesim propozimet e Komisionit Europian dhe theksojmë nevojën për të zbatuar shpejt një axhendë thjeshtëzuese, veçanërisht në lidhje me Direktivën e Raportimit të Qëndrueshmërisë së Ndërmarrjeve dhe Direktivën e Kujdesit të duhur të Qëndrueshmërisë së Ndërmarrjeve. Ne bëjmë thirrje për thjeshtësim të vazhdueshëm të rregullave evropiane.
Ne gjithashtu do të përshpejtojmë përpjekjet tona për investime, kërkime, inovacione, partneritete dhe efekte të shkallës në sektorë kyçë ku BE-ja duhet të ruajë një avantazh konkurrues, duke përfshirë inteligjencën artificiale, informatikën kuantike, energjinë dhe teknologjitë e pastra, bioteknologjinë, hapësirën, gjysmëpërçuesit dhe mbrojtjen. Ne do të studiojmë çështjen e preferencës evropiane në ankandet publike, veçanërisht për produktet me karbon të ulët.
Ne do të punojmë gjithashtu për të vendosur rregulla konkurrence në nivel të BE-së, në mënyrë që të krijojmë firma kampiona botërore evropiane në sektorë kyç. Ne kemi nevojë për investime publike dhe private, veçanërisht në infrastrukturë. Krijimi i një bashkimi të mirëfilltë të tregjeve të kapitalit për t’i drejtuar kursimet tona drejt kompanive evropiane që i shërbejnë tranzicionit dhe mbrojtjes, industrisë së gjelbërt dhe dixhitale, nëpërmjet kushteve të barabarta të konkurrencës, ringjalljes së tregut evropian të letrave me vlerë dhe atij të kursimeve të evropianëve, që është një prioritet absolut për ne.
Ne do të punojmë së bashku për një kuadër financiar shumëvjeçar të modernizuar të BE-së për të përballuar sfidat me të cilat përballemi dhe për të ecur përpara me burime të reja të brëndshme.
Ne do të shqyrtojmë mënyra për të zhvilluar një axhendë tregtare dhe investimesh reciprokisht të dobishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përballë konkurrencës më të ashpër globale, ne do të punojmë drejt një axhende të re të politikave tregtare të qëndrueshme për BE-në, për të reduktuar rreziqet dhe për të diversifikuar partneritetet tregtare dhe zinxhirët ekonomikë, duke forcuar konkurrencën evropiane dhe duke siguruar masa mbrojtëse efektive në bujqësi dhe sektorë strategjikë në respekt të angazhimit tonë të vazhdueshëm për tregti të hapur, të drejtë dhe të bazuar në rregulla. Kjo nuk duhet marrë si naivitet.
Nëse duam marrëdhënie ekonomike reciproke dhe të dobishme, duhet të ketë një fushë loje vërtetë të barabartë. Ne do të shqyrtojmë mënyra për të zhvilluar një axhendë tregtare dhe investimesh reciprokisht të dobishme me Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, askush nuk duhet të dyshojë në vendosmërinë tonë për të mbrojtur plotësisht interesat e BE-së dhe për t’iu përgjigjur me vendosmëri masave të dëmshme të marra kundër saj.
Ne inkurajojmë Komisionin Europian të përdorë të gjithë instrumentat që ka në dispozicion, me shpejtësi dhe me vendosmëri, për të mbrojtur interesat evropiane sa herë që është e nevojshme. Ne gjithashtu do të promovojmë një politikë efektive të sigurisë ekonomike brenda BE-së. Sa i përket Kinës, ne do të koordinojmë interesat tona strategjike të sigurisë me një qasje të përbashkët në lidhje me sigurinë tregtare dhe ekonomike, dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë për çështjet që lidhen me stabilitetin global, ndryshimet klimatike dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët. Ne dëshirojmë gjithashtu të shfrytëzojmë këtë mundësi për të koordinuar programet tona kombëtare të reformës ekonomike dhe sociale, veçanërisht në fushën e punësimit dhe taksave. Ne do të krijojmë një platformë për dialog midis partnerëve socialë francezë dhe gjermanë, si dhe midis ekspertëve ekonomikë.
Ne gjithashtu duhet të luajmë një rol udhëheqës në politikat ndaj emigrantëve. Ne do të sigurojmë që Pakti Evropian për Migracionin dhe Azilin të zbatohet plotësisht dhe me shpejtësi, në mënyrë uniforme në Francë dhe Gjermani, në mënyre që të arrihen rezultate në lidhje me rregullat evropiane të kthimit të emigrantëve të paligjshëm në vendet e tyre. Objektivi ynë është t’i japim një drejtim më strategjik zonës Shengen dhe të sigurojmë koordinim të ngushtë të kontrolleve në kufijtë e brendshëm në mënyrë që të sigurojmë funksionimin pa probleme të zonës Shengen.
Së fundi, ne kemi nevojë për reforma për të siguruar stabilitetin e Evropës. Këto reforma shërbejnë shërbejnë si nga brenda për të promovuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe kapacitetin e BE-së për të vepruar, ashtu dhe në nivelin e jashtëm, për t’u përgatitur për zgjerimin dhe për të adresuar sfidat gjeopolitike, duke u mbështetur edhe në Komunitetin Politik Evropian 75 vjet pas deklaratës së Robert Schuman të 9 majit 1950, ne jemi krenarë për atë që evropianët kanë arritur.
Ne do t’i shërbejmë çdo ditë objektivit të këtyre “arritjeve konkrete që krijojnë pikësëpari solidaritetin de facto” dhe këtë gjë do ta bëjmë së bashku, ne, Franca dhe Gjermania, në shërbim të një Bashkimi Evropian më sovran që promovon interesat e tij.
()