Sapo ka përfunduar mbledhja e Task Forcës e kreut të SPAK Altin Dumani në Shkodër me kreun e prokurorisë, drejtorin e policisë së qarkut dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ligjzbatuese.
Kreu i SPAK sipas burimeve ka vënë theksin tek zbulimi i krimeve zgjedhore. Dumani deklaroi se SPAK ka procedime konkrete lidhur me krimet zgjedhore dhe se pritshmëritë janë të mëdha.
Po ashtu Dumani ka kërkuar që në rastet kur ka akuza apo deklarata publike për shitblerje vote personat që bëjnë këto akuza të thirren për të bërë kallëzim në polici dhe prokurori dhe të mos neglizhohen si raste.
Kreu i SPAK kërkoi që policia dhe prokuroria të jenë sa më vigjilente lidhur me krimet zgjedhore në këto ditë të fundit të fushatës elektorale.
Gjithashtu ai ka vlerësuar punën e policisë dhe prokurorisë Shkodër duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha strukturat ligjzbatuese.