Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, zhvilloi një takim elektoral në Shkodër, ku bëri thirrje për ndryshim, duke e cilësuar situatën politike në vend si një betejë mes të mirës dhe të keqes.
Boçi theksoi se programi i PD është njerëzor dhe ka në qendër madhështinë e qytetarit shqiptar. Ai e përshkroi Sali Berishën si një “misionar” për shpëtimin e vendit dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos mashtrohen nga premtimet boshe, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përhapje urrejtjeje dhe përpjekje për ta mbajtur Shkodrën të varfër e të izoluar.
Luçiano Boçi: Duhet t’i themi STOP të keqes. Programi i PD është njerëzor. Programi nga njerëzorja nxjerr madhështinë e shqiptarit, për një Shqipëri Madhështore. Kurrë Shqipëria nuk ka qenë në një krizë të tillë familjare. Kjo është luftë mes të mirës dhe të keqes. Ky është udhëkryq, që do përcaktojë fatin e Shkodrës dhe të Shqipërisë. Ajo që na ka sjellë këtu është më e vertetë se jeta, sepse Sali Berisha është misionar. Edhe ju jeni misionar të shpëtimit të Shqipërisë. Nga njëra anë jemi ne me ofertën tonë dhe ana tjetër është Edi Rama, që shpërndan urrejtje e dhunë. Të dashur shkodranë, mos u gënjeni nga pasaporta. Ata që mbyllën Shkodrën, duan ta prangosin me varfëri.