Tirana e këtij sezoni, në shifra, është më e dobëta që prej rënies nga kategoria. Në të gjitha aspektet, skuadra ka më pak pikë, duke “lënguar” në fund të tabelës.
Nëse në sezonin 2016-2017, Tirana grumbulloi 39 pikë dhe ra nga Superiorja, të njëjtën gjë bëri edhe këtë sezon. Mori vetëm 39 pikë, por e rrezikoi kategorinë, duke shpëtuar nga sfida “play out”. Nga sezoni i fundit, Tirana është 11 pikë më pak, ndërsa nga dy sezone më parë, 28 pikë. Për të mos folur për vitet e titullit, respektivisht 34 dhe 31 pikë. Asnjëherë që prej kthimit në kategori, Tirana nuk kishte marrë kaq pak pikë. Edhe në dy kampionatet që nuk ka shkuar në Europë, ka grumbulluar 47 dhe 58 pikë, çka tregon se shifrat kanë qenë shumë të dobëta dhe kjo skuadër ka zhgënjyer plotësisht.
MBROJTJA Tej të gjithave, shifrat e sivjetshme të Tiranës janë alarmuese. Asnjëherë në historinë e saj legjendare, Tirana nuk e ka mbyllur kampionatin pa dy fitore rresht. Pika e dobët e kësaj skuadre është prapavija. Tirana e këtij sezoni ka një nga mbrojtjet më të këqija të historisë së bardhebluve për golat e pësuar. Skuadra e Bledi Shkëmbit në këtë kampionat, gjatë 36 javëve plus “play out”, ka pësuar 44 gola, duke shënuar një rekord negativ. Konsiderohet ekipi i dytë më i keq i historisë për golat e pësuar në kampionatet me 36 javë. Rekordin e mban skuadra e vjetshme, me 49 gola të pësuar në 36 javë.
Për sa u përket të gjitha kampionateve, nëse Tirana e vitit 1947 ka pësuar 50 gola, kjo Tiranë ka pësuar 44 gola dhe është gjashtë gola nga rekordi negativ absolut. Një skuadër që nuk e tregoi veten në fushën e lojës, ku mbrojtja ka qenë pika më e dobët e saj. Tirana duhet të themi së pëson 1.22 gola për ndeshje. Një mesatare shumë e lartë për një skuadër futbolli. Në lidhje mes golave të pësuar dhe ndeshjeve, Tirana 2023-2024 ishte mbrojtja e katërt më e keqe. Më para saj, Tirana e vitit 1947 me 3.13 gola të pësuar për takim. Më pas, Tirana e vitit 1951 me 1.73 gola, Tirana e 1950-s me 1.50 gola.