Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), ku u njoh nga afër me investimet e fundit të realizuara në një kohë rekord prej vetëm tre muajsh. Transformimet përfshijnë ndërtimin e një fasade të re ikonike, zgjerimin e mëtejshëm të hapësirave të aeroportit, shtimin e kapaciteteve të parkimit dhe përmirësime të tjera të rëndësishme që i japin aeroportit pamje dhe funksionalitet tërësisht të ri.
Gjatë vizitës, Kryeministri përgëzoi Grupin Kastrati dhe ekipin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës për realizimin e këtij transformimi. Ai u shoqërua nga Presidenti i Grupit Kastrati, z. Shefqet Kastrati, arkitekti i mirënjohur italian Marco Casamonti, si edhe drejtues të aeroportit.
Rama vlerësoi investimet e kryera që vijnë në kohën kur aeroporti ka shënuar një nga rritjet më të mëdha në Europë. Kryeministri theksoi se tani me ndryshimet e ndërmarra, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po kthehet edhe në një nga aeroportet më të bukur dhe të veçantë të Evropës. « I paparë. Do të jetë më i bukuri në Evropë, por edhe fiton goxha hapësirë terminali,” u shpreh Kryeministri.
Presidenti i Grupit Kastrati, z. Shefqet Kastrati, nënvizoi përkushtimin e kompanisë për të transformuar aeroportin në një qëndër rajonale fluturimesh për cilësinë e infrastrukturës dhe shërbimit.
« Këto ndryshime janë pjesë e një strategjie afatgjatë dhe të qëndrueshme për zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Deri më sot kemi investuar mbi 150 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën, për të rritur kapacitetet dhe për të ndërtuar një standard të ri për transportin ajror në Shqipëri. Ky është vetëm fillimi i një transformimi edhe më të madh që kemi planifikuar për vitet në vijim, » tha z. Kastrati.
Një nga elementët më të spikatur të projektit të arkitektit Casamonti është fasada e re e aeroportit, e cila i jep një dimension tërësërisht të ri dhe krijon një pamje mbresëlënëse, sidomos gjatë natës, e ndriçuar nga dritat dhe projeksionet e posaçme. Arkitekti italian theksoi se fasada është frymëzuar nga motivet tradicionale shqiptare dhe është ndërthurur me arkitekturën bashkëkohore për të krijuar një identitet unik estetik dhe kulturor. «Tani mungojnë vetëm xhamat e kuq dhe ky shesh do të jetë flamuri i kuq shqiptar me një gjatësi gjysmë kilometri, me granit e mermer, me një shqiponjë që lëviz, » shpjegoi ai.
Fasada mbulon një sipërfaqe prej 40,000 m2 dhe përveç funksionit estetik, luan një rol kyç edhe në përmirësimin e qarkullimit dhe mbrojtjes ndaj kushteve atmosferike.
Po ashtu është ndërtuar një strukturë e re moderne parkimi me 1000 vende shtesë, e lidhur direkt me terminalin e aeroportit, duke e çuar në 3000 totalin e vendeve të parkimit, në një hapësirë prej 28,000 m2. Kjo ndërhyrje është realizuar brenda tre muajve për të përballuar fluksin në rritje të pasagjerëve gjatë sezonit veror.
Transformimet e fundit janë pjesë e një programi të gjerë investimesh, që përfshin zgjerimin e mëtejshëm të zonave të mbërritjes dhe të nisjes, përmirësimin e infrastrukturës digjitale dhe fizike, si edhe nisma të tjera për zhvillim të qëndrueshëm, përfshirë prodhimin e energjisë nga burimet alternative.