Një ditë më parë, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, u ushtruan kontrolle në Shkodër ndaj gjashtë shtetasve dhe në nëntë automjete të tyre. Kontrollet e SPAK dhe Policisë së Shtetit u shtrinë edhe në Bushat e Vau i Dejës. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar para (në euro dhe lekë), tollona karburanti, telefona celularë, dokumente dhe lista me emra qytetarësh. Policia bëri me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë veprimtari të dyshuar kriminale që lidhet me krimet elektorale.
Sakaq, Partia Social Demokrate ka reaguar duke i konsideruar të pavërteta dhe dashakeqe lajmet se anëtarët e shtabeve të saj elektorale ishin proceduar për veprimtari të paligjshme në fushën e zgjedhjeve.
Në një deklaratë, PSD shprehet se i bën thirrje SPAK e GJKKO që të hetojnë çdo krim zgjedhor.
“PSD-ja ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve përkatëse që të marrin seriozisht ankesat e qytetarëve në Qarkun e Shkodrës dhe të hetojnë fuqimisht çdo shkelje të ligjit në drejtim të krimeve zgjedhore. PSD-ja nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me askend tjetër të cilëve u janë kryer kontrolle në zyrat apo banesat e tyre. Në vijim, kushdo që përfshihet në të tilla krime zgjedhore duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe PSD-ja do të distancohet menjëherë”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, PSD sqaron se të vetmit përfaqësues të saj që i është kontrolluar banesa ka qenë kryetari i degës në Malësinë e Madhe, Ardian Hysa, duke shtuar se nuk është gjetur asgjë e paligjshme.
“Z. Hysa është treguar bashkëpunues dhe ka shprehur gadishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të organeve ligjzbatuese”, vijon deklarata e PSD.
Deklarata
Lidhur me disa lajme të bëra publike dhe të shpërndara në media të ndryshme, për përfshirjen në veprimtari të paligjshme zgjedhore të disa anëtarëve të shtabeve elektorale të PSD-së në veri të vendit, Partia Socialdemokrate përgënjeshtron çdo lajm të tillë. Është një dizinformim i qëllimtë dhe dashakeqës.
Lajmet janë të pavërteta dhe spekulative; janë sulme të drejtpërdrejta ndaj PSD-së, pasi asnjë nga anëtarët tanë nuk është përfshirë në krime zgjedhore. Nuk ka patur prezencë të policisë dhe as BKH-së në asnjë shtab, në asnjë zyrë elektorale. Këto janë shpifje monstruoze dhe të papranueshme.
Ne mbështesim SPAK-un në mënyrë të padiskutueshme, madje kemi bërë deklarata të shpeshta si dhe thirrje për SPAK-un dhe GJKKO-në që të hetojnë çdo krim zgjedhor. Për më tepër, PSD-ja ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve përkatëse që të marrin seriozisht ankesat e qytetarëve në Qarkun e Shkodrës dhe të hetojnë fuqimisht çdo shkelje të ligjit në drejtim të krimeve zgjedhore.
PSD-ja nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me askend tjetër të cilëve u janë kryer kontrolle në zyrat apo banesat e tyre. Në vijim, kushdo që përfshihet në të tilla krime zgjedhore duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe PSD-ja do të distancohet menjëherë.
Të vetmit person që i është kryer kontroll në banesën e tij është Kryetari i PSD-së për Malësinë e Madhe, z. Ardian Hysa. Sipas procesverbalit të lëshuar nga SPAK-u, rezulton se nuk është gjetur asgjë e paligjshme në banesën dhe mjedisin e tij të punës. Z. Hysa është treguar bashkëpunues dhe ka shprehur gadishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të organeve ligjzbatuese.
()