Me vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve të 11 Majit, Endrit Shabani, kryetari i Nismës Thurje dhe kandidati për deputet në Tiranë si bashkëdrejtues i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, ka marrë mbështetjen e një grupi eurodeputetësh të grupit më të madh në Parlamentin Evropian.
Eurodeputetja Anna Strolenberg, përfaqësuese e lëvizjes panevropiane, ka shprehur mbështetjen e saj për Shabanin përmes një video-mesazhi, duke vlerësuar angazhimin e tij dhe të Nismës Thurje në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht për denoncimin e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në sektorin e bujqësisë.
Në mesazhin e saj, Strolenberg thekson rëndësinë e zgjedhjes së liderëve të rinj me mendësi evropiane, që përfaqësojnë një Shqipëri më të ndershme dhe më pranë Bashkimit Evropian:
“Kur mendon për Shqipërinë, a të kujtohen plazhet e bukura apo anëtarësimi në BE? Unë do të doja të vizitoja Shqipërinë për pushime, por më shumë do të dëshiroja ta shihja si vend anëtar të BE-së. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, por përballet me sfida – dhe më e madhja prej tyre është korrupsioni.
Këtë të diel, shqiptarët kanë mundësinë të zgjedhin një udhëheqës të ri, me vlera evropiane dhe një angazhim të fortë kundër korrupsionit. Endrit Shabani është një prej atyre që lufton për një Shqipëri të ndershme dhe të drejtë. Nëse je shqiptar, voto për ndryshimin.”