Një operacion policor i koduar “Silent” ka çuar në prangosjen e dy të rinjve, të cilët akuzohen për furnizimin e grupeve kriminale me armë zjarri të modifikuara me silenciatorë. Operacioni u zhvillua pas një hetimi dymujor të udhëhequr nga Komisariati i Policisë Vorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe njësi të tjera të specializuara.
Dy të arrestuarit, Arbër Hasa, 19 vjeç, dhe Joldi Peca, 20 vjeç, u ndaluan në flagrancë në aksin rrugor “Qafë Kashar–Rinas”, teksa lëviznin me një automjet ku u gjetën 4 armë zjarri të llojit pistoletë dhe një mjet prerës (thikë). Sipas hetimeve, këto armë ishin parashikuar të modifikoheshin me silenciatorë dhe t’i shiteshin grupeve kriminale.
Kontrolle të mëtejshme u kryen edhe në banesën e një personi tjetër të lidhur me të arrestuarit, G. Sh., 49 vjeç, ku u gjetën sende të kundërligjshme, si një dorezë metalike dhe një shkop gome. Për këtë shtetas ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet e mbledhura nga operacioni iu referuan Prokurorisë së Tiranës për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Hetime proaktive dhe inteligjencë policore, me objektiv goditjen e grupeve kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Silent”. Sekuestrohen 4 pistoleta dhe 3 armë të ftohta.
Furnizonin grupe kriminale, me armë zjarri, të cilat modifikoheshin me silenciatorë, arrestohen 2 shtetas.
Si rezultat i një hetimi dymujor, me metoda proaktive, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vorë dhe të ndjekur në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u finalizua në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën e Posaçme Operacionale, operacioni “Silent”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë, teksa lëviznin me automjet në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”, shtetasit A. H., 19 vjeç dhe J. P., 20 vjeç, të dy banues në Vorë.
Atyre iu gjetën 4 armë zjarri pistoleta, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, pas modifikimit me silenciatorë. Në momentin e arrestimit, në automjet u gjet dhe 1 mjet prerës (thikë).
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shokut të të arrestuarve, shtetasit G. Sh., 49 vjeç. Në këtë ambient u gjetën 1 dorezë metalike dhe 1 shkop gome. Për posedim të kundërligjshëm të këtyre sendeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.