Victor Osimhen pritet të jetë një nga yjet më të lakuar në këtë merkato vere, në një kohë kur është e qartë se nuk bën pjesë në planet e Napolit, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij. Osimhen do të rikthehet në Napoli pas huazimit te Gallatasary, por nuk pritet të qëndrojë gjatë, pasi blutë janë në pritje të ofertës më të mirë për të shituar kartonin e tij. Për Osimhen ka oferta të shumta, pëlqehet shumë në Premier League, por dhe në Serie A.
Duke qëndruar në Itali, sipas Corriere dello Sport, Juventus është kandidati kryesor për të siguruar shërbimet e “bomberit” nigerian. “Zonja e Vjetër” kërkon të përforcojë me çdo kusht repartin ofensivë për sezonin e ri, mbi të gjitha nëse arrijnë të ruajnë vendin e katërt në Serie A që i siguron një biletë për Champions League. Nëse Juve e arrin këtë objektiv, atëherë drejtuesit e klubit janë të gatshëm të investojnë deri në 90 milionë euro për të siguruar shërbimet e Osimhen.
Nigeriani ka një klauzolë largimi prej 75 milionë euro, por vetëm nëse shitet jashtë Serie A, për Juven, De Laurantiis nuk pranon asnjë ofertë poshtë 85 milionë euro, plus bonuse. Jo vetëm kostot e kartonit, Juve duhet të bëjë gati edhe një paketë prej 10 milionë euro, vetëm pagë sezonale për Osimhen. Afrimi i mundshëm i nigerianit e bën të sigurt largimin e Vlahovic. Sulmuesi serb do të ishte një pengesë jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në aspektin ekonomik, largimi i tij është i pashmangshëm. Në çdo rast, Juve duhet të bëjë llogaritë edhe me ofertat e çmendura që vijnë nga Arabia Saudite, ku Ali Hilal i ofron Osimhen 30-35 milionë euro në sezon.
()