Raporti i kredive me probleme pësoi një sërish një rënie të lehtë në muajin mars. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues ra në 4.02%, nga 4.06% që kishte qenë muajin e kaluar. Me bazë vjetore, raporti i kredive me probleme ka rënë me më shumë se 0.6 pikë përqindje. Treguesi i kredive me probleme ka arritur gjithashtu një nivel të ri minimnal për 17 vitet e fundit.
Tremujori i parë i vitit 2025 ka shfaqur tendenca të ngjashme me vitin e kaluar, i karakterizuar nga një rritje me ritme të shpejta e kreditimit dhe një rënie paralele e treguesit të kredive me probleme.
Në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 865 miliardë lekëve,
në rritje me 13.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e kredisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme. Sidoqoftë, duke patur parasysh ritmet relativisht të larta të rritjes të portofolit në tërësi, kreditë me probleme, të shprehura në vlerë absolute, kanë pësuar ndryshime të vogla dhe vlerësohen në rreth 34.8 miliardë lekë, me një rënie të vogël prej 1.7% krahasuar me një vit më parë.
Ecuria pak a shumë e stabilizuar e kredive me probleme dëshmohet edhe nga vlerat e ulëta të shpenzimeve të bankave për fondin rezervë të kredive me probleme, megjithëse ato pësuan një rritje të lehtë në tremujorin e parë. Për këtë periudhë, vlera e provigjioneve për kreditë ishte 933 milionë lekë, vlerë kjo 10% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, fitimi neto i sektorit, sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë, pësoi rënie në rreth 8.5 miliardë lekë, 10% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e fitimit është kryesisht rezultat i rënies së normave të interesit dhe I tkurrjes së të ardhurave neto nga interesat.
Cilësia e aktiveve të sektorit bankar po vazhdon të përmirësohet lehtë dhe gradualisht, por rritja e shpejtë e portofolit të kredisë në viett e fundit ka rritur shqetësimin e Bankës së Shqipërisë, të lidhur sidomos me segmentin e pasurive të paluajtshme. Pasi vitin e kaluar vendosi shtesa të posaçme kundërciklike të kapitalit, me qëllim ngadalësimin e rritjes së kreditimit, këtë vit Banka Qendrore ka kaluar në masa më të drejtpërdrejta. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës miratoi ndryshime në rregulloren për administrimin e rrezikut të kredisë, duke vendosur nivele tavan të kredisë ndaj çmimit të të blerjes së banesës së financuar, si edhe për vlerën e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave totale të huamarrësve./ Monitor