Partia Demokratike përmbyll sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa lideri i saj, Sali Berisha, ka dërguar një mesazh të fortë drejtuar diasporës shqiptare.
Ai e ka cilësuar pjesëmarrjen e emigrantëve në votim si një mundësi historike për t’i shërbyer vendit, duke theksuar se 11 maji është një ditë përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë.
Berisha ka denoncuar gjithashtu parregullsitë në procesin e votimit me postë në disa shtete, por ka apeluar që
kjo të mos dekurajojë diasporën, përkundrazi, t’i motivojë ata të udhëtojnë dhe të votojnë fizikisht në vendlindje.
“Së pari një mesazh për diasporën shqiptare, e cila ka qenë shpirti i kësaj fushate elektorale.
Thirrja ime është, cilido prej tyre, që mund të vijë të votojë me datën 11 Maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij.
11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar.
Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende me postën, e cila ka një emër autoritar, të mirë, por që shfaqi parregullsitë më të mëdha.
Kjo, uroj dhe shpresoj, të mos dekurajojë, por përkundrazi, të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që mund të vijë këto dy ditë dhe të votojë në qendrat e votimit, do ishte një shërbim i jashtëzakonshëm, një rast unik që u jepet për t’i shërbyer vendit”, tha ai.