Procesi zgjedhor i 11 majit ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve edhe në Lushnje dhe Divjakë, ku ka nisur zyrtarisht shpërndarja e materialeve zgjedhore në të tre Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ).
Për KZAZ nr. 56 në Lushnje, materialet po shpërndahen nga ambientet e Muzeut Historik, ndërsa për KZAZ nr. 55 po tërhiqen nga palestra e shkollës “Skënder Libohova”. Në Divjakë, për KZAZ nr. 57, shpërndarja po bëhet në ambientet e Qendrës së Kulturës.
Komisionet zonale, përveç dorëzimit të materialeve, po japin udhëzimet finale për mënyrën e hapjes dhe mbylljes së procesit të votimit. Komisionerët në qendrat e votimit janë informuar për procedurat që do të ndiqen nesër, për të garantuar një proces të rregullt dhe të qetë.
Të gjitha materialet janë marrë në dorëzim me procesverbal nga të paktën tre anëtarë të komisioneve përkatëse dhe janë vendosur në ambientet e caktuara për ruajtje, ku do të qëndrojnë nën mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit deri në mëngjesin e nesërm, kur nis zyrtarisht votimi.