Para ndeshjes së kampionatit kundër Bologna, Giorgio Furlani u paraqit para mikrofonëve dhe bëri një bilanc të asaj që ka prodhuar deri tani sezoni, si dhe të asaj që do të ndodhë në të ardhmen. Nga konfirmimi i trajnerit deri te tema e drejtorit të ri sportiv dhe merkatos kuqezi. Shefi ekzekutiv i Milanit dëshiroi të shprehte besimin e klubit te Sergio Conceição, duke lënë hapur edhe mundësinë për qëndrimin e jashtëzakonshëm të portugezit në sezonin e ardhshëm:
“Që kur ka ardhur Sergio, ai ka fituar një trofe. Të mërkurën mund të bëhet trajneri i parë i Milanit, pas Ancelottit, që fiton dy trofe në një sezon, ndaj kjo është diçka që duhet vlerësuar. Kemi besim të plotë tek ai, por për momentin jemi të fokusuar te ndeshja e të mërkurës. Sidoqoftë, e përsëris, kemi besim të plotë te trajneri ynë”.
Më pas, drejtori i “Djallit” mori anën e tifozërisë, duke shprehur gjithë zhgënjimin për këtë sezon që ka qenë poshtë pritshmërive: “Pas sezoneve të këtilla nuk ka vetëm një gabim, por ka shumë arsye. Jo si shefi ekzekutiv, por si tifoz kuqezi nuk jam i kënaqur me si ka shkuar ky sezon. Nuk do të shkojmë në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm, ku është shtëpia e Milanit. Megjithatë, do të përpiqemi të kthehemi sa më shpejt.
Gjatë intervistës për mikrofonët e “Sky”, Furlani nuk iu shpëtoi pyetjeve në lidhje me drejtorin e ri sportiv: “Herën e fundit kam thënë që po vlerësonim mundësinë për të marrë një drejtor sportiv. Kam thënë gjithashtu që tema kryesore nuk ishte të merrnim dikë me ngut, por të zgjidhnim personin e duhur. Sot përgjigjem po ashtu. Tani vëmendja është për ta përfunduar mirë sezonin, por nëse do të sjellim dikë, do të jetë personi i duhur dhe nuk ka ndonjë nxitim”.
Më pas, shefi i Milanit qetësoi të gjithë tifozët, duke thënë se, pavarësisht mundësisë për të sjellë një drejtor sportiv, klubi nuk do të jetë i papërgatitur për merkaton: “Ne kemi punuar për shumë kohë tashmë. Merkatoja nuk fillon më 1 qershor, por shumë muaj më herët. Merkaton e bën klubi. Aktorët mund të ndryshojnë, por sigurisht që nuk jemi të varur nga një person, cilido qoftë ai”.