Dinamo tashmë ka mbyllur çdo llogari të këtij sezoni dhe ka hedhur shikimin fillimisht nga pushimet e më pas te ndeshjet e Europës, por i duhet të bëjë edhe “adetin” e fundit. Të dielën e 10 majit blutë në orën 19:00 do të sfidojnë Partizanin në “Elbasan Arena” për finalen e vogël, që përcakton vendet 3-4.
Kjo ndeshje do të luhet vetëm si statistikë, pasi nuk përcakton asgjë sa i përket Europës, qëllimi për të cilin u krijua në fillim. Nisur nga rëndësia zero, pritet që Dinamo në këtë ndeshje të luajë më skuadrën e dytë të saj, duke aktivizuar një numër të madh edhe të të rinjve.
Emra si Çelkupa, Duka a ndonjë tjetër pritet të jenë në fushën e blertë, teksa edhe një pjesë e lojtarëve të stolit pritet të aktivizohen nga trajneri Daja. Ky i fundit do të detyrohet ta ndjekë këtë ndeshje nga tribuna, për shkak se është i dënuar nga Komisioni i Disiplinës.