Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka publikuar një reagim në rrjetet sociale vetëm një ditë para zgjedhjeve të 11 majit, duke akuzuar Partinë Socialiste për përfshirje në blerje votash.
Në postimin e tij në Facebook, Mziu ndan disa video ku shfaqet një përplasje mes disa personave, që sipas tij ndodhi në fshatin Radovesh, Gollobordë, Dibër. Ai pretendon se socialistët kanë qenë në terren për të shpërndarë para në këmbim të votës.
Mziu akuzon konkretisht Ndriçim Sulën, punonjës i Policisë Bashkiake në Bulqizë, se ka shpërndarë para për vota në këtë zonë. Deputeti shton gjithashtu se dy qytetarë që po filmonin aktivitetin e dyshuar janë dhunuar nga punonjësi i policisë dhe persona të tjerë të afërt me Partinë Socialiste.