Partizani fitoi 1-2 ndaj Dinamos në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për vendin e 3-të në “Final Four”.
Dinamovitët festuan pas më shumë se çerek ore lojë. Një asist i Maliqit nga krahët, u shfrytëzua në maksimum nga Dejvi Bregu, i cili nga fare pranë dërgoi topin në rrjetë.
Të kuqtë nuk u pajtuan me rezultatin dhe u hodhën në sulm për të vendosur ekuilibrat. Në fundin e pjesës së parë, Tedi Malaj gjen të papërgatitur mbrojtjen kundërshtare dhe dërgoi shifrat në 1-1.
Partizani e nis në mënyrën më të mirë të mundshme pjesën e dytë. Pas disa pasimesh të bukura, Guxhufi finalizoi si duhet dhe me të djathtën ndëshkoi portierin.
Partizani mbrojti rezultatin, pavarësisht sulmeve të shtuara të Dinamos.
Përfundimisht, ekipi i Gegës renditet i 3-ti, ndërsa të besuarit e Dajës e mbyllin në vendin e katërt.
Me të dyja skuadrat që kanë siguruar Europën, ato tashmë do mendojnë për të planifikuar sezonin e ri futbollistik, me synimin arritjen e suksesit.
Kujtojmë që të hënën luhet finalja e madhe e “Final Four”, aty ku do përballet Vllaznia me Egnatian.