Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare Giani de Biasi ka votuar ditën e sotme në shkollën Kongresi i Lushnjës në kryeqytet duke qenë se ai mban edhe nënshtetësinë shqiptare.
Në një prononcim për mediet, De Biasi u bëri një apel të gjithë qytetarëve shqiptarë që të ushtrojnë të drejtën e votës që ua jep demokracia.
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare tha se ndihet pak edhe si ambasador i Shqipërisë, sa herë që ka mundësi të votojë.
“Ndihem shumë shqiptar dhe sa herë kam mundësi vij, kam bërë pak edhe ambasadorin për të treguar Shqipërinë edhe aty ku nuk njihet shumë. Të gjithë që kanë në zemër kombin duhet të dalin të votojnë sot. Isha këtu për Giro d’Italia që ishte një mrekulli dhe do të kthehem për ndeshjen me Serbinë. Me siguri do jetë një ndeshje shumë e veçantë, e vetmja gjë që uroj është të mos bëjmë marrëzira se është një ndeshje futbolli dhe duhet të tregojmë se jemi popull për së mbari”, tha De Biasi.