Për herë të parë në këto zgjedhje parlamentare votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Procesi i votimit jashtë vendit ka nisur rreth një muaj më parë, ndërsa ende vijnë zarfe me fletë votimi nga jashtë vendit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri sot në orën 07:38, kanë mbërritur 181,609 zarfe me fletë votimi.
Në total janë 245 935 zarfe të dërguara, nga të cilat janë marrë nga zgjedhësit 227 609 zarfe me fletë votimi. 18 326 zarfe me fletë votimi nuk janë tërhequr nga zgjedhësit të cilët ishin regjistruar në Platformën Elektronike të Votimit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Sipas KQZ, 2502 zarfe janë te kutia e posaçme.
Numrin më të lartë të kthimeve e mban Italia me 71 273, ndjekur më pas nga Greqia 45 560, më pas Gjermania. Sipas qarqeve, kryeson Tirana me 40 250 zarfe, Fieri 24 328, Durrës 19 033.
Çdo votë që mbërrin në Shqipëri sot pas orës 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.
Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë.