Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda mirëpriti në një vizitë zyrtare, Ambasadorin e Katarit Sh. T. Z. Jabor Bin Ali Al Dosari.
Qëllimi i vizitës, konsolidimi i urave ekzistuese të bashkëpunimit dhe krijimi i urave të reja, në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, ndërkontinental.
Drejtor Proda falënderoi Amasadorin për bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese të Katarit, si dhe i shprehu gatishmërinë për ta intensifikuar këtë bashkëpunim dhe në aspekte të tjera operacionale dhe policore, me objektiv goditjen e krimit të organizuar dhe gjurmimin e aseteve të tij.
Më tej, Drejtori shprehu mirënjohje për angazhimin e agjencive ligjzbatuese në Katar, për trajnimin në gjuhën arabe të 5 specialistëve të rinj, nga Akademia e Sigurisë, në vitin 2022, në Katar.
Ambasadori Dosari përgëzoi Drejtorin, për nivelin e profesionalizmit dhe të konfidencialitetit të dëshmuara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, gjatë operacioneve të gjëra ndërkombëtare.
Gjithashtu, shprehu gatishmërinë për të mos e lënë këtë bashkëpunim vetëm te aspektet operacionale, por për ta shtrirë dhe përsa i përket trajnimeve, shkëmbimit të eksperiencave dhe ofrimit të asistencës teknike. Ambasadori Dosari i dorëzoi Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda, ftesën nga homologu i tij, për një vizitë zyrtare në Katar.
()