Dy incidente janë regjistruar në Qarkun e Kukësit. Një 19-vjeçar është proceduar nga policia për shkeljen e fshehtësisë së votimit. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 19 vjeç, banues në fshatin Shoshaj. Ai akuzohet për publikimin e fotografisë të fletës së tij të votimit në rrjete sociale, duke shkelur ligjin për ruajtjen e fshehtësisë së votës.
Po ashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori për një tjetër rast, ku u shpall në kërkim shtetasi O. Sh., 18 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Ai kishte tentuar të hyjë me forcë në një Qendër Votimi (VNV nr. 11) gjatë natës dhe kishte kundërshtuar punonjësit e policisë që nuk e lejuan të hynte.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
DVP Kukës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 19 vjeç, banues në fshatin Shoshaj, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, pasi ka publikuar në rrjete sociale, fotografi të fletës së tij të votimit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin O. Sh., 18 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi gjatë natës, ka tentuar të hyjë me forcë në VNV nr. 11 dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë që nuk e kanë lejuar të hyjë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.