Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Tiranë, Albana Vokshi, ka reaguar me tone të forta lidhur me zhvillimet e ditës së zgjedhjeve në bashkinë e Vorës. Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë nga studiot e News24, ndërsa vijon numërimi i votave, Vokshi deklaroi se procesi atje ka qenë i manipuluar dhe i shoqëruar nga presion kriminal.
“Kam qenë e pranishme në Vorë dhe situata ishte dramatike. Janë instaluar grupe kriminale, persona me precedentë penalë dhe e gjithë administrata e bashkisë ka qenë në funksion të intimidimit të votuesve,” tha Vokshi.
Sipas saj, në të gjitha qendrat e votimit kanë vepruar persona të lidhur me botën e krimit, të cilët kanë ushtruar presion dhe frikësim ndaj qytetarëve. “Nuk mund të konsiderohen zgjedhje. Si Vorën, nuk e kam parë asnjëherë situatën në 30 vite,” u shpreh ajo.
Vokshi bëri të ditur se ka depozituar më herët në SPAK një kallëzim penal për personat që, sipas saj, dirigjonin operacionin e manipulimit të votës në Vorë. “10 ditë më parë kam kallëzuar këta individë dhe sot ata ishin në qendrat e votimit. Kam dhënë të gjithë informacionin për ta,” përfundoi ajo.