Policia e Korçës po zbaton një vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të një procedimi penal që përfshin katër subjekte politike me shtrirje në mbarë vendin.
Burime konfidenciale bëjnë të ditur se përfaqësues të këtyre subjekteve janë nën hetim për krime zgjedhore, kryesisht të lidhura me shitblerjen e votave gjatë procesit zgjedhor.
Në zbatim të vendimit gjyqësor, policia po ushtron kontrolle në banesat e personave të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar mjete dhe disa aparate celularë që mund të përmbajnë prova të rëndësishme për hetimin.
Sipas të njëjtave burime, një nga subjektet nën hetim është Partia Socialdemokrate, e cila ka qenë pjesë e garës elektorale në zgjedhjet e 11 majit.
Veprimet hetimore në terren po koordinohen nga një prokuror i caktuar nga SPAK, i cili është përgjegjës për monitorimin e rasteve të krimeve zgjedhore në këtë rajon.