Te Tirana situata nuk është e qartë as me lojtarët e huaj, të cilët janë shumë dhe që duan të largohen për arsye të ndryshme.
Ata janë futbollistë si Abah, Soler, Bajroviç, Dembele, Zharmuni e ndonjë tjetër. Të gjithë janë nën kontratë, por për disa prej tyre ka oferta. Me shumë mundësi, Zharmuni dhe Dembele do të shiten në një skuadër më të mirë, ndërsa ende nuk dihet fati i Kolës. Për t’u parë janë edhe e ardhmja e lojtarëve, si Bajroviç, Abah apo Soler.
Ndonëse kanë marrëveshje edhe për një vit me klubin, mund të largohen nga bardheblutë. Tirana afron dhe largon afërsisht 19 lojtarë në sezon. Skuadra më e titulluar e Shqipërisë, në 11 sezonet e fundit ia ka dalë që të afrojë 205 lojtarë dhe të largojë 213 futbollistë të tjerë.
Shkurt, një lëvizje shumë e madhe për ekipin 26 herë kampion të Shqipërisë. Me një llogari të thjeshtë, Tirana çdo sezon ndërtohet nga fillimi, pasi mesatarja e afrimeve dhe e largimeve është shumë e lartë. Në fakt, edhe trajnerët e kanë prekur disa herë këtë temë, pasi çdo verë dhe janar skuadra rindërtohet, duke sjellë një problem për hartimin e një filozofie loje. Një situatë që sigurisht, nuk sjell stabilitet në grupin bardheblu. Mirëpo, trendi i afrimeve dhe i largimeve do të vazhdojë edhe këtë sezon.