Një operacion ndërkombëtar i përbërë nga autoritetet e Gjermanisë, Shqipërisë, Qipros, Britanisë së Madhe dhe Izraelit, me mbështetjen e Eurojust dhe Europol, ka çmontuar një grup të strukturuar kriminal që kishte mashtruar mbi 100 viktima në mbarë botën përmes një platforme të rreme investimesh online, duke përfituar më shumë se 3 milionë euro.
Grupi kriminal përdorte metoda të sofistikuara mashtrimi përmes internetit, duke krijuar një faqe të rreme që premtonte fitime të mëdha në një kohë të shkurtër. Fillimisht, viktimat bindeshin të investonin shuma të vogla parash. Më pas, përmes grafikëve të rremë dhe presionit psikologjik nga persona që paraqiteshin si “brokerë”, viktimat shtyheshin të transferonin shuma më të mëdha. Në të vërtetë, paratë nuk investoheshin, por përfundonin drejtpërdrejt në duart e grupit kriminal.
Hetimet nisën në Gjermani në vitin 2022, kur një çift raportoi mashtrimin në polici. Pas ndjekjes së llogarive bankare, autoritetet gjermane zbuluan një rrjet të organizuar ndërkombëtar.
Gjatë një operacioni të parë në Belgjikë dhe Letoni në shtator 2022, u arrestuan dy persona dhe u sekuestruan prova kyçe që çuan në identifikimin e shtatë anëtarëve të tjerë, përfshirë drejtuesit e “call center”-ave që manipulonin viktimat.
Më 13 maj 2025 u zhvillua faza e dytë e operacionit. U kryen kontrolle të njëkohshme në Shqipëri, Qipro dhe Izrael, ku u sekuestruan pajisje elektronike, dokumente dhe para cash. Në Qipro u arrestua një i dyshuar, për të cilin po shqyrtohet ekstradimi drejt Gjermanisë.
Në Shqipëri, operacioni u drejtua nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në bashkëpunim me Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, si pjesë e letërporosisë gjermane. Eurojust koordinonte aspektet gjyqësore nga selia e saj në Hagë, ndërsa Europol ofroi mbështetje operacionale dhe ngriti një komandë virtuale për koordinim në kohë reale.
Operacioni është pjesë e platformës europiane EMPACT për luftimin e krimeve të rënda dhe të organizuara ndërkombëtare, me fokus te mashtrimet financiare për periudhën 2022–2025.