Një situatë e tensionuar është shënuar në KZAZ nr. 40 në Tiranë, e vendosur në ambientet e shkollës “Sami Frashëri”, ku procesi i numërimit të votave është ndërprerë pak para përfundimit. Shkak për ndërprerjen janë bërë pretendimet e vëzhguesve të Partisë Mundësia të Agron Shehajt, të cilët kanë akuzuar për manipulim të rezultatit dhe shpallje të pavlefshme të votave pa arsye të qarta.
Sipas kandidatit të Partisë Mundësia, Erald Kapri, janë shpallur të pavlefshme 7 vota të subjektit të tij pa asnjë shpjegim ligjor:
“Kaluan votat në skaner, u numëruan, kur papritur 7 vota të Mundësisë u shpallën të pavlefshme, pa thënë arsye. Pastaj thanë do i bëjmë 3 dhe më pas pretenduan se ngjyra e fletës ishte e zbehtë. Këto fletë nuk iu treguan vëzhguesve tanë sipas rregullave,” deklaroi Kapri.
Pas përshkallëzimit të debatit, KZAZ mori vendimin për të nxjerrë jashtë të gjithë vëzhguesit. Aktualisht në ambientet e brendshme ndodhen kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
Kapri tha gjithashtu se është thirrur policia dhe se situata është raportuar te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi si dhe misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR.