
Pas përfundimit të zgjedhjeve në vend, Luiz Ejlli ka reaguar me një mesazh në rrjetet sociale për të gjithë ata që e shohin atë si një figurë të mundshme politike. Në një story në Instagram, fituesi i “Big Brother VIP Albania 2” sqaroi se nuk ka asnjë interes të përfshihet në politikë dhe arsyeja është e thjeshtë: ai beson te arti, jo te pushteti.
“Shumë më kërkojnë të hyj në politikë,” shkruan ai, duke reflektuar mbi ndikimin që ka në publik. “Mbase sepse më shohin si një zë që dëgjohet, si dikush që nuk ka frikë të flasë. Por unë nuk dua të jem arsyeja pse njerëzit zihen mes tyre.”
Luizi theksoi se qëllimi i tij nuk është të zgjedhë krahë, por të qëndrojë pranë të gjithëve. “Unë kam zgjedhur njeriun. Nuk dua pushtet mbi askënd, dua duar të lira për të përqafuar, jo për të nënshkruar vendime që lëndojnë.”
Ai kritikoi mënyrën se si politika ndryshon njerëzit dhe deklaroi se do të mbetet besnik ndaj artit dhe vlerave që përfaqëson.
“Të shumtë janë ata që më kërkojnë të hyj me politikë. Mbase ngaqë më shohin si zë që dëgjohet, apo si një njeri që nuk ka frikë të flasë. Unë nuk kam ardhur në këtë jetë për të ndarë njerëzit. Por për t’i bashkuar. Nuk dua të jem arsyeja pse njerëzit zihen mes tyre, kur gjithçka që dua është t’i bëj të buzëqeshin bashkë. Unë besoj te muzika, te dashuria, te forca e një fjale që shëron dhe jo që përçan. Politika kërkon të zgjedhësh një anë. Unë kam zgjedhur njeriun! Nuk dua të je mi një krahu, kur mund të jem krah për të gjithë. E kam parë se çfarë bën politika me njerëzit. Si ua ndryshon sytë, zemrat, fjalët. Nuk dua pushtet mbi askënd. Dua t’i mbaj duart e lira që të përqafoj, jo të nënshkruaj vendime që lëndojnë. Dua dua zyrë, dua skenë! Ndaj, më falni nëse ju jam zhgënjyer duke mos u bërë pjesë e politikës. Kjo është mënyra që unë kam zgjedhur për të mbrojtur atë që dua më shumë, njeriun, familjen, artin, fjalën e lirë dhe vetveten”, përfundon shkrimi i Luizit.