Pedagogu i Universitetit Luarasi, Afrim Osmani, i ftuar në News 24, në një diskutim mbi zhvillimet politike, ka theksuar se Partia Demokratike duhet të tregojë maturi dhe të ndërmarrë një proces reflektimi.
Ai u shpreh se PD ka të drejtë të kontestojë procesin zgjedhor, por kjo duhet të shoqërohet me një analizë të thellë të mënyrës së funksionimit të saj të brendshëm dhe rolit të lidershipit. Sipas tij, është e rëndësishme që procesi të mos dominohet nga hijet e së shkuarës, duke iu referuar indirekt figurës së Sali Berishës.
Osmani vuri në dukje edhe çështjen e patronazhimit, duke e quajtur të rrezikshme situatën kur angazhimi partiak është i vetmi mjet për mbijetesë për individët në nevojë. Ai nënvizoi se ekonomia duhet të orientohet drejt prodhimit dhe zhvillimit real.
Pedagogu i Universitetit Luarasi, Afrim Osmani: Opozita duhet të reflektojë dhe të tregojë maturi. Ata mund të menaxhojnë gjithë procesin, jo duke qëndruar në hijen e liderit. Le të jenë asetet e Sali Berishës diku, por procesi i reflektimit duhet me patjetër. PD mund ta kontestojë procesin, por edhe duhet që të reflektojë. Në lidhje me patronazhimin, do thosha që nëse një person nuk ka gjë tjetër përpos kontributit në parti, kjo është e frikshme. Duhet thënë që njerëzit në nevojë përdoren në formë të shëmtuar. Ekonomia jonë duhet të jetë e orientuar nga prodhimi.
(Arena e Lajmit)