Ditë speciale në shtëpinë e Inter. Ish presidenti legjendar i skuadrës zikaltër Massimo Moratti festoon ditën e sotme 80 vjetorin e lindjes.
Lindur më 16 maj 1945 në Bosco Chiesanuova (Verona), Moratti bleu në vitin 1995 atë Inter që kishte qenë tashmë pronë e babait të tij, Angelo. Si pronar i klubit nerazzurr, ai fitoi 16 trofe gjatë 18 viteve, shumica e të cilëve u arritën në pesë vitet e fundit të viteve 2000. Legjenda e tripletës interiste të vitit 2010 është ende e gjallë, dhe gjithashtu sot festohen 10 vjet nga titulli i fituar në Siena.
Në mes të viteve ’90, Interi kishte dëshirë të rikthehej në majat e futbollit pas disa viteve të vështira, ndonëse ishte kurorëzuar me fitimin e Kupës UEFA në vitin 1994. Kështu, Ernesto Pellegrini ia shiti klubin një biznesmeni me emër të madh: Massimo Moratti. Po, pikërisht ai Moratti, djali i Angelo-s, i cili si president, nga viti 1955 deri në 1968, kishte fituar dy Kupa të Kampionëve me trajnerin magjik Helenio Herrera në pankinë. Më 18 shkurt 1995, Moratti e bleu zyrtarisht klubin dhe e kuptoi menjëherë që për të filluar të rikthente Interin, duhej të punonte në dy aspekte kyçe: morali i tifozëve dhe cilësia e skuadrës. Zgjidhja ishte e thjeshtë: të investohej në futbollistë të klasit botëror. Për këtë, blerja e parë e drejtimit të ri ishte Javier Zanetti, i cili më vonë do të bëhej kapiteni i shumë sukseseve të Interit.
Sezoni i parë ishte një periudhë aklimatizimi dhe do të mbahet mend vetëm për blerjen (dhe më pas shitjen) e Roberto Carlos. Viti tjetër erdhi me një vend të tretë në kampionat, që ishte pika e nisjes. Sezoni i parë i vërtetë i madh ishte ai i 1997-98, sezoni i debutimit të Fenomenit: Ronaldo ishte i jashtëzakonshëm, por dueli për titullin e kampionit u fitua nga Juventus (për shkak të kontaktit të famshëm Iuliano-Ronaldo). Megjithatë, skuadra e Gigi Simoni fitoi Kupën UEFA, duke u udhëhequr nga Ronaldo.
Në historinë e futbollit, pak presidentë kanë dhënë aq sa ka dhënë Moratti për Interin, por fitoret e mëdha nuk vinin dhe tifozët i kishin ngjitur atij etiketën që askush në futboll nuk do të donte: “humbës”. Juventus ia mori një tjetër kampionat, në atë ditë të pabesueshme të 5 maj 2002. Një vit më vonë, ëndrra e një finaleje të Ligës së Kampionëve u ndërpre papritur në dy derbi kundër Milanit, të dyja të përfunduara në barazim, por me golin e Shevchenko në “fushën kundërshtare” që e dërgoi Milanin në Manchester.
Megjithatë, futbolli është një cikël dhe gjithçka ndryshon në verën e vitit 2006: shpërthen skandali i Calciopoli, i cili dërgon Juventusin në Serie B dhe penalizon Milanin, Fiorentinën, Lazion dhe Regginën, duke favorizuar Interin që, nga vendi i tretë, fiton scudetto-n e katërmbëdhjetë në historinë e tij. Nga aty e tutje fillon një ngjitje e pakundërshtueshme: dy kampionate të tjerë të fituara pas njëri-tjetrit, me Roberto Mancini dhe Zlatan Ibrahimovic në rolin kryesor. Por, ka një peng që ende e mundon Morattin: kupa e madhe e veshur me veshë.
Dështimi i përsëritur në Europë i kushton vendin e trajnerit Mancini në vitin 2008: në vend të tij, Moratti thërret një portugez që quhet Josè, me mbiemrin Mourinho, dhe disa vite më parë kishte fituar një Champions League të papritur me Porton, para se të shkonte dhe të triumfonte në Angli me Chelsean.
Viti i parë ishte përsëri një scudetto, megjithatë me rezultate të zhgënjyera në Evropë. Por, sezoni i ardhshëm solli një mrekulli në Milano. Fushata e transferimeve ishte fantastike, dhe kombinimi Moratti-Mourinho bëri mrekullinë. Kështu, kapiteni Zanetti, më 22 maj 2010, pas 45 vitesh, ngriti lart në qiellin e Madridit Ligën e Kampionëve. Ky triumf erdhi pas scudetto-s që u fitua vetëm gjashtë ditë më parë në Siena (pas një beteje të mundimshme për titull me Romën e Ranieri), dhe që sot festohen 15 vjet nga ai moment historik. Ky titull i kombinuar me Kupën e Italisë, e fituar gjithashtu kundër Romës, do të shkruante historinë e futbollit italian me Tripletën.
Interi u shpall kampion i Italisë për herë të 18-të në ditën e fundit të kampionatit, falë golit të fitores të shënuar në minutën e 12-të të pjesës së dytë nga Diego Milito.
Udhetimi fantastik i Moratti-t mbaroi disa muaj më vonë me fitoren e Botërorit për Klube, por tre vjet më pas ai do ta shiste Interin tek Erick Thohir. Moratti do të dorëzohej nga posti i presidentit në vitin 2014 dhe, me shitjen e shumicës së aksioneve të klubit tek grupi kinez Suning në qershor 2016, ai do të largohej përfundimisht nga Interi si aksionar, pas 21 vitesh. E dhimbshme, po e parëndësishme, sepse Massimo e kishte arritur qëllimin e tij, duke e barazuar babanë Angelo-n, duke i dhënë dhe duke u dhënë një gëzim të jashtëzakonshëm. Etiketa e “humbësit” e kishte hequr tashmë prej shumë kohësh; në Milano, flamujt nerazzurr kishin filluar të fluturonin përsëri, duke festuar 16 trofetë (5 kampionate italiane, 4 Kupat e Italisë, 4 Superkupat italiane, një Champions League dhe një Botëror Klube) që ai i kishte fituar gjatë drejtimit të tij.