Dy adoleshentë të moshës 14 dhe 15 vjeç u konfliktuan në Maliq, ndërsa njëri prej tyre ka mbetur i plagosur me thikë. Ngjarja ndodhi në fshatin Sheqeras ku një 14-vjeçar ka dëmtuar me mjet prerës thikë një 15-vjeçar, i cili po merr mjekim në spital, jashtë rezikut për jetën.
Të miturit janë zënë për motive të dobëta, ndërsa nuk ka qenë hera e parë që konfliktoheshin mes njëri tjetrit. Sipas informacioneve, 14-vjeçari e ka plagosur me thikë në një rrugicë në hyrje të fshatit Sheqeras.
Autori është kapur nga policia, ndërsa ka deklaruar fillimisht se 15 vjeçari e ngacmonte herë pas here me fjalë e ky është motivi i sherrit. I plagosuri ka marrë goditje me thikë në pjesën e barkut dhe të shpatullës, por sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gazetarja e News24, Lorena Kodra, ka biseduar me nënën e autorit të plagosjes, e cila ka deklaruar se nuk e dinte që djali do të kryente këtë veprim:
“Nuk e dija se isha në shpi, sa dola te rruga ma thanë që është zënë. Mora vesh që është zënë me thikë, por për djalin nuk e di se si është tani. Ziheshin shumë me atë djalin, dilnin me shokët por ziheshin shumë, kishte shumë debate me atë djalin. Ai e tallte djalin.
Ai ka folur me familjen, por prapë janë zënë sot. Familja na ka thënë nuk do keni asnjë grindje, mos u shqetësoni. Ne njihemi si familje, thanë nuk do keni më shqetësime, por prapë u zunë sot.
Në mëngjes djali ishte në shkollë. Rreth orës 2 do ketë qenë kur erdhi. Unë nuk e pashë nëse mori gjë nga shtëpia, thjesht kur më thanë që është zënë me thika.
Ishte shumë i shqetësuar. Në atë moment erdhi dhe policia dhe thanë që duhet të gjejmë thikën. Nuk erdhi në shtëpi direkt pas konfliktit, erdhi më pas. Ishte te gjyshja, më pas erdhi tek unë në momentin që erdhi edhe policia. Në ato momente policia e mori në pyetje dhe e mori me vete, tha duhet të gjejmë edhe thikën. Ai tha se ishte një thikë e vogël, nuk më tha ku e kishte marrë. I tha policisë: ishte një thikë e vogël, e hodha se u frikësova.
Me shokët e klasës shkon mirë, me një që ka patur debat e kanë zgjidhur. Në shkollë shkon rregullisht. Nuk kam mundur të flas me familjen e djalit. Do i thoja familjes së djalit të qetësoheshim dhe ta zgjidhnim këtë problem se janë fëmijë dhe do shkonin shumë gjëra më keq” – u shpreh Çelnike Plaka, nëna e autorit që kreun plagosjen në Maliq.
()
“Arena e Lajmit”