“Trishtim ta shoh Milanin në këtë gjendje”, Sacchi i ashpër flet për sezonin e kuqezinjve: Milan me lojtarë të marrë pa kriter

Pas zhgënjimit në finalen e Kupës së Italisë, Arrigo Sacchi komentoi sezonin e keq të Milanit për “Gazzetta dello Sport”:

“Ta shoh Milanin në këtë gjendje më jep një trishtim të madh, sepse unë jam i lidhur me atë ambient, me tifozët, me ato ngjyra. Duke parë finalen e Kupës së Italisë, të humbur me meritë ndaj Bologna, mora konfirmimin e asaj që mendoja që në fillim të këtij sezoni: Milani nuk është një skuadër”.

Për klubin: “Presidenti Berlusconi, kur më mori mua, më tha që synimi i tij ishte të fitonte dhe të bindte. Donte që Milani të bënte spektakël, të argëtonte njerëzit. Kishte një ide dhe dinte si t’ua përcillte bashkëpunëtorëve të tij. A ju duket se Milani i sotëm, si klub, ka ndonjë ide? Mua më duket se jo”.

Për zgjedhjet e trajnerëve: “Zgjedhja e trajnerit në fillim të sezonit është thelbësore. Milani, verën e kaluar, fillimisht mendoi të merrte Lopeteguin, por më pas, pasi tifozët u zemëruan, kaloi te portugezi Fonseca. Ata që morën këtë vendim bënë një gabim të madh. Në mes të sezonit e ndryshuan mendimin dhe ia besuan pankinën Sergio Conceiçao, i cili sipas meje është më pak fajtor se të gjithë, sepse u gjend në kaos total. Dhe në fund, do ta shihni që pikërisht ai do të paguajë, sepse ky është një ligj i vjetër dhe absurd i futbollit: largo trajnerin dhe bëj sikur gjithçka rregullohet”.

Për merkaton dhe skuadrën: “Milani është një përzierje lojtarësh të marrë pa kriter. Nuk po diskutoj cilësitë e tyre teknike individuale, edhe pse mund ta bëja. Problemi është se nuk janë elementë që formojnë një skuadër. Bëhen blerje nga jashtë dhe sinqerisht nuk e kuptoj pse; vijnë lojtarë me përvoja dhe kultura krejtësisht të ndryshme. Duhet përpjekje për t’i përshtatur, por në këtë mënyrë si mund të krijosh një stil loje”.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook