E premtja e provave të lira për Çmimin e Madh të Emilja Romanajës u shënua nga dominimi absolut i makinave MekLaren. Pasi komanduan në sesionin e parë, Oskar Piastri dhe Lando Norris bënë ligjin edhe në sesionin e dytë, duke regjistruar kohët më të shpejta.
Lideri australian i Botërorit 2025 fiksoi kohën më të mirë prej një minute, 15 sekondash e 293 të mijtash në sesionin e dytë, ashtu siç bëri edhe në provat e drekës, duke e mposhtur me 25 të mijtat shokun e tij të skuadrës dhe ndjekësin më të afërt në klasifikimin e përgjithshëm, Lando Norrisin. Pierr Gasli konfirmoi performancën e mirë të tij dhe të makinës Alpine në FP1, duke vendosur kohën e tretë më të shpejtë, 276 të mijtat larg kryesuesit.
Pas tij, Xhorxh Rasëll, i cili humbet saktësisht katër të dhjeta nga Piastri. Maks Vershtapen i Red Bullit mbylli në vend të pestë një ditë shumë emocionuese të fundjavës, duke lënë pas pilotin e Ferrarit, Sharl Lëklerk, i cili u rikthye në pistë pasi kishte kaluar një gjendje gripale. Vershtapen ishte 442 të mijtat nga lideri, ndërsa Lëklerk 475. Ferrari u shfaq në rritje “të ngadaltë” gjatë gjithë ditës, por me vetëm me monegaskun dhe perspektiva është mjaft e pasigurt për vazhdimin e fundjavës.
Ditë e keqe për Luis Hamiltonin në një seancë që u mbyll më herët nga një flamur i kuq (“u bllokua” Hadjar). Britaniku nuk shkoi më shumë se vendi i 11-të, me një vonesë prej 650 të mijtave. Axhenda në Imola do të vijojë sot në orën 12:30 me sesionin e tretë të provave të lira, ndërsa në orën 16:00 do të nisin provat kualifikuese që do të përcaktojnë radhën e nisjes për garën.
Çmimi i Madh i Emilja Romanjës do të startojë të dielën në 15:00. Për sa i përket renditjes së përgjithshme të pilotëve, Oskar Piastri kryeson me 131 pikë, ndërsa pas tij është shoku i skuadrës te MekLaren, Lando Norris, në vend të dytë me 115 pikë. Në vend të tretë pozicionohet kampioni në fuqi i botës, Maks Vershtapen, në kuotën e 99 pikëve.