Blendi Gonxhja, kandidati më i votuar i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, ishte i ftuar në emisionin Kjo javë në News 24 nga moderatorja Nisida Tufa, ku foli për fushatën elektorale, rezultatet paraprake dhe rëndësinë e listës së kandidatëve të PS-së.
Ai vlerësoi përzgjedhjen e kandidatëve si një kombinim të menduar mirë mes figurave të reja dhe atyre me përvojë, duke e cilësuar këtë si një nga arsyet e suksesit të PS në zgjedhje. Gonxhja theksoi gjithashtu rolin e tij në transformimin urban të qyteteve në qarkun e Tiranës.
Blendi Gonxhja: Unë bëra një Podcast “Ju flet Kombinati”, por që ishte ndryshe në herë të ndryshme, ishte edhe “Ju flet Tirana”, “Ju flet Sharra” etj. Ishte dhe “Ju flet qarku” në njëfarë mënyre. Unë kam punuar në ndryshimin e pamjes të shumë qyteteve dhe qytezave në qarkun Tiranë. Unë nuk do isha drejtor në entet publike, nëse nuk do isha thirrur nga kryeministri Edi Rama. Edhe kreu i qeverisë më ka ndihmuar, por dhe unë kam dhënë shumë për qarkun e Tiranës.
Rezultati është ende jo final, Majko mund të marrë vota në diasporë. Lista e kandidatëve të PS ka qenë e zgjuar, një kombinim mes të rinjve dhe veteranëve. Unë s’kam sharë e as nuk kam nënvlerësuar askënd. Në PD, mund të hyjë vetëm Jorida Tabaku dhe jo Alimehmeti, vetëm dy kandidatë pra nga lista e hapur, është rezultat dramatik për Partinë Demokratike. Nuk mendoj që më ka avantazhuar fakti që kam qenë ministër. Fushata ka qenë e gjithanshme, në rrjetet sociale dhe derë më derë e sy më sy ta themi, takime reale me njerëz.
(Arena e Lajmit)