Drejtoresha e News24 Anila Jole, ishte sot e ftuar në “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, ku bëri një rezyme dhe një analizë të procesit zgjedhor dhe fushatës elektorale.
Po ashtu, Anila Jole, komentoi edhe për Samitin e Komunitetit Politik Europian zhvilluar në Tiranë, të cilën e quajti ngjarje madhore për Shqipërinë.
Nisida: Si shkoi fushata elektorale gjuha, tensionet…?
Jole: Më në fund mbyllëm një fushatë që, ndryshe nga ajo që përcakton Kodi, që do të zgjasë një muaj para zgjedhjeve, nisi shumë më parë edhe pse jo zyrtarisht. Në zgjedhjet e mëparshme sigurisht që ka pasur një gjuhë shumë më të ashpër.
Për këto zgjedhje nuk mund ta them të njëjtën gjë, ishte një fushatë kryesisht e qetë, e përqendruar te simbolet, te kryetarët e partisë, pra jo me programe, por me simbole dhe imazhe. Rama e ka patur këtë strategji, por edhe Berisha luajti me këtë, edhe strategu i fushatës tha që duhet të jetë një fushtë e qetë pa fyerje personale pa agresivitet, ishte një fushatë mjaft qytetare nga të dyja palët në këtë pikëpamje.
Fushata më shumë se sa e orientuar nga programet ishte e përqendruar te kryetarët. Rama u përqendrua tek Europa, përkatësia politike e shqiptarëve, tek Shqipëria në BE në 2030 e mesa duket, kjo goditi tek shqiptarët, të cilët kanë nisur të mos besojnë më premtimet e përsëritura dhe të pa mbajtura politike.
Edhe PD tentoi të bëjë premtimet e veta, por mesa duket kishte në vetvete ngërçet e veta, që solli edhe në këtë rezultat. Nuk ishte pra një fushatë me incidente.
Nisida: Sa u mor opozita me programin në këtë fushatë?
Jole: Ky ishte një lloj gabimi i opozitës, sepse Shqipëria në BE nuk është çështje politike apo partiake, bëhet fjalë për Shqipërinë. Ndaj dhe opozita duhet të ishte në të njëjtën frymë me këtë tezë. Mesa duket janë problemet e saj të brendshme. Mungesa e një lidershipi ndoshta me energji, e bënë që të mos ishte aq e besueshme dhe e pëlqyer. Pa harruar që kishte një pje së të elektoratit indiferent, një pjesë të votave të pavlefshme, dy çështje që të dyja partitë politike kryesore duhet t’i shohin me kujdes. Është përgjegjësi e të dyjave ta shohin këtë.
Edhe Berisha, edhe Rama, besoj se ishin të bindur nga sa mandate do të merrnin. Ndaj ishin edhe listat e mbyllura, ku u vunë personat që liderët donin të kishin në Kuvend, pjesa tjetër u la të luftonte. Edhe Rama ka përvojën e tij për të kuptuar si do të dilnin pak a shumë rezultatet, PS ka struktura të jashtëzakonshme në terren, sondazhet dhe patronazhistët kanë shumë informacione të sakta, ndaj edhe memorandumi i Kuçit doli. Bëhen llogaritë edhe nga zgjedhjet e kaluara gjithashtu.
Nisida: Mosha e Berishës…
Jole: Për t’u përgëzuar ajo që bëri ai në këtë fushatë, demokratët duhet t’i heqin kapelen, Ndoshta është momenti që të lërë stafetën te një i ri, por mbase ende nuk ka gjetur një të ri me energji të njëjtë, siç ka ai edhe pse 80 vjeç. Opozita duhet të refletojë pas këtyre zgjedhjeve, për një riorganizim dhe fshirjen e përçarjeve.
Si u arrit balanca nga News24 për të pasqyruar aktivitetet e partive politike?
Ne e kemi në parimin tonë balancën, paanësinë dhe lajmin e shpejtë. Kjo na ka mbajtur lider të informacionit. Ne kemi lirinë editoriale nga pronari i medias. Në news24 nuk ka gazetarë partiakë që i shërbejnë dikujt.
Nisida: Si shkoi procesi zgjedhor?
Jole: Ka pasur disa ngjarje sporadike, por nuk e cënuan procesin zgjedhor. Ndihej njëfarë tensioni, por fatmirësisht brenda qendrave të votimit nuk pati incidente. Gjëra të vogla, besoj se qytetarët janë ndërgjegjësuar. Është një lloj emancipimi. Administrata zgjedhore ka nevojë për përmirësim. Psh u harxhuan miliona për votimin elektronik dhe rezultati duhej të pritej të nesërmen. Ne rezultati na erdhi, ndërkohë që zyrtarisht KQZ nuk e publikoi. Duhet një investim në elektronikë, është kthyer në makth numërimi.
Nisida: Mbi 80 mandate siç parashikoi Rama. Si e komentoni?
Jole: Rama e kishte të qartë, ndoshta edhe opozita. Por rezultati kaq i ulët i opozitës i detyroi të kalonin te refreni i mosnjohjes. Për mua është pak e madhe për ta thënë. Për këto zgjedhje, Kryeministri u urua nga gjithë krerët e botës. Mendoj se ishte një rezultat i pritshëm, pavarësisht se flitet për blerje vote apo manipulime, nuk mendoj personalisht se një diferencë kaq e madhe mund të manipulohet. Në çdo parti që humbet zgjedhjet, duhet të ketë reflektim. Nuk është vetëm tek emri që duhet të vijë në krye. Listat e hapura thelluan përçarjen, edhe pse para u duk një lloj bashkimi.
Nisida: Protesta e opozitës, aty ku u duk se eksponentë të PD konfliktoheshin edhe me gazetarët…Si ju duk?
Jole: Një protestë e vogël, pa e paragjykuar, sepse ndodh nganjëherë që të tilla mund të japin mesazh më të madh. Por mendoj se në një ditë të madhe si ajo e djeshmja, ku liderët e Europës ishin në Tiranë, mund të kursehej një skenë e tillë, për t’i treguar botës. BE është çështje e shqiptarëve, jo e partive. PD duhet të ndryshojë, pasi u bënë vite që bën protesta, por nuk ka asgjë.
Nisida: Luftën e vërtetë zgjedhore duket se e bënë kandidatët në listën e hapur…?
Jole: Kjo me siguri ka dëmtuar shumë të dyja palët, sepse kandidatët e listave të mbyllura nuk u angazhuan. Elektorati u bë indiferent dhe i paqartë. Kjo formulë duhet rishikuar për zgjedhjet e tjera.
Nisida: Ndalemi te Samiti Europian…Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë që mikpriti 47 vende?
Jole: Një ngjarje e jashtëzakonshme, të bëhesh qendra e botës, është fantastike për vendin tonë. Një organizim shumë i mirë, me një pritje të gjetur interesante. Për këtë pjesë, Kryeministri Rama nuk e ka shokun, e ka nderuar Shqipërinë, pavarësisht problemeve. Në sytë e europianëve doli shumë e bukur. Të njëjtat fjalë do të thoja kushdo që do ta organizonte, krenari për Shqipërinë. Rama është kurator perfekt i detajeve, nuk ishte rastësi që ai e bëri samitin te Skënderbeu.
()